30 ditë paraburgim për Stefan Bogoevin

featured
Press Online
04 Qershor 2026, 14:33

Gjykata Penale ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh për ish-drejtorin e Drejtorisë së Doganave, Stefan Bogoev, si dhe për tre persona të tjerë të dyshuar, me kërkesë të Prokurorisë.

Gjykatësi i procedurës paraprake pranë Gjykatës Themelore Penale në Shkup, siç njoftuan nga kjo gjykatë, duke vepruar sipas propozimit të Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit për caktimin e masës ndaj katër personave për të cilët ekziston dyshim i bazuar se kanë kryer veprat penale “Keqpërdorim i procedurës së thirrjes publike, dhënies së kontratës për furnizim publik ose partneritet publiko-privat”, “Pranim shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm” dhe “Dhënie shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm”, pas deklarimit të tyre në prani të mbrojtësve, ka marrë vendim që:

Propozimi për caktimin e paraburgimit ndaj S.B., D.G., A.S. dhe S.M. pranohet dhe të gjithëve u caktohet masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh. Masa është caktuar për shkak të ekzistimit të bazave nga neni 165 paragrafi 1, pikat 1 dhe 2 të Kodit të Procedurës Penale.

Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi para Këshillit Penal.

Bogoev u soll pasditen e sotme në Gjykatën Themelore Penale në Shkup, ku u paraqit para gjykatësit të procedurës paraprake, pas kërkesës së Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit për të dhe tre persona të tjerë, për shkak të dyshimeve të bazuara për keqpërdorim të procedurës së furnizimit publik, si dhe për marrje dhe dhënie ryshfeti.

Prokuroria njoftoi se ekziston dyshim i bazuar se në periudhën korrik 2023 – mars 2024, të dyshuarit kanë manipuluar procedurën për ndarjen e kontratave të furnizimit publik për mirëmbajtjen e higjienës në pikat kufitare dhe terminalet doganore. Përmes favorizimit të një operatori të caktuar ekonomik dhe kufizimit të konkurrencës, ata i kanë mundësuar subjektit juridik të përfitojë dobi pasurore të kundërligjshme në vlerë prej 18.479.692 denarësh.

Drejtoria e Policisë Financiare më herët ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kundër Stefan Bogoevit, në cilësinë e ish-drejtorit të Drejtorisë së Doganave, kundër S.M., ish-ndihmësdrejtor në Drejtorinë e Doganave, kundër D.G., person i autorizuar në një subjekt juridik, kundër A.S., i punësuar në të njëjtin subjekt juridik, si dhe kundër një personi juridik, për shkak të dyshimeve për keqpërdorim të procedurës së furnizimit publik dhe për marrje e dhënie ryshfeti.

Prokuroria Publike bëri të ditur se janë siguruar prova dhe se për të katër personat do të kërkohet paraburgim.

Më herët gjatë ditës, Prokuroria njoftoi se, duke vepruar sipas kallëzimit penal të paraqitur nga Drejtoria e Policisë Financiare, prokurori kompetent nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka nxjerrë urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore kundër katër personave – ish-drejtorit dhe ish-ndihmësdrejtorit të Drejtorisë së Doganave, administratorit të një subjekti juridik dhe një të punësuari në të njëjtin subjekt.

– Të dyshuarit ngarkohen me veprat penale: keqpërdorim i procedurës së thirrjes publike, dhënies së kontratës për furnizim publik ose partneritet publiko-privat, pranim shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm dhe dhënie shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm. Ekziston dyshim i bazuar se gjatë periudhës korrik 2023 – mars 2024 ata kanë manipuluar procedurën për ndarjen e kontratave të furnizimit publik për mirëmbajtjen e higjienës në pikat kufitare dhe terminale, duke favorizuar një operator ekonomik dhe duke kufizuar konkurrencën, çka i ka mundësuar subjektit juridik përfitim të kundërligjshëm në vlerë prej 18.479.692 denarësh – njoftoi Prokuroria.

Sipas provave të siguruara, i dyshuari i parë, duke shfrytëzuar pozitën dhe ndikimin e tij si drejtor i Drejtorisë së Doganave, ka ndikuar në zhvillimin e procedurës tenderuese në favor të ofertuesit të përzgjedhur, ndërsa i dyshuari i dytë, në cilësinë e ndihmësdrejtorit, ka ndikuar te operatorët e tjerë ekonomikë që të mos marrin pjesë në fazën përfundimtare të procedurës.

– Në kuadër të hetimit janë siguruar prova edhe për marrje dhe dhënie shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm, ku i dyshuari i parë ka pranuar një shumë prej 111.600 denarësh për shfrytëzimin e pozitës së tij zyrtare dhe ndikimit real. Me qëllim zhvillimin pa pengesa të procedurës penale, prokurori publik do t’i paraqesë gjykatësit të procedurës paraprake pranë Gjykatës Themelore Penale Shkup propozim për caktimin e masës së paraburgimit për të katër të dyshuarit – thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter