Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se Ligji i ri për Shtetësinë e Kosovës nuk ka hapur rrugë të reja për fitimin e shtetësisë dhe as nuk ka zgjeruar kategoritë e përfituesve.
Në një konferencë për media, Sveçla tha se ndryshimet e fundit janë vetëm harmonizim teknik i tekstit ligjor me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe nuk prekin kriteret materiale për marrjen e shtetësisë.
Sipas tij, dispozita që lidhet me ish-banorët e Jugosllavisë që kanë jetuar në Kosovë më 1 janar 1998 dhe pasardhësit e tyre, nuk është e re, por buron nga Paketa e Ahtisarit dhe është pjesë e Kushtetutës së Kosovës.
“Lidhur me nenin 31 të këtij ligji i vitit 2026 nuk është një dispozitë e re, ky nen është pjesë e dispozitave themelore, Kushtetutës së Kosovës, përkatësisht e nenit 1.55 që derivon nga Pakoja e Ahtisarit. Kjo e drejtë nuk është krijuar apo njohur nga kjo qeveri dhe nuk është futur për herë të parë me ligjin e ri, ashtu siç eksponentët e opozitës po e proklamojnë ”, ka theksuar ai.
“Është e pasaktë të pretendohet se ligji i viti 2026 ka hapur rrugë të reja për fitimin e shtetësisë, apo ka zgjeruar kategoritë e përfituesve asnjë kriter material nuk është ndryshuar. Ajo që është bërë me ligjin e ri është harmonizim i plotë i formulimit ligjor me tekstin e Republikës së Kosovës”, ka deklaruar mes tjerash ai.
Ai shtoi se në vitin 2012, gjatë ndryshimeve kushtetuese, kjo dispozitë është bartur nga pjesët kalimtare në dispozitat themelore të Kushtetutës nga partitë që sot janë në opozitë.
“Ndërsa në vitin 2012, në vend që kjo dispozitë të hiqej nga Kushtetuta dhe të kishte të njëjtin fat si dispozitat e tjera kalimtare, opozita e tanishme, e cila ishte në pushtet në atë kohë, përmes ndryshimeve kushtetuese vendosi ta bartë këtë dispozitë te dispozitat themelore të Kushtetutës me qëllim që ta bëjë pjesë të përhershme të rendit kushtetues të Republikës së Kosovës. Pra në thelb, ajo që opozita sot po e kritikon, e ka burimin pikërisht këtu. Çka nënkupton se ata ose nuk kanë qenë fare të vetëdijshëm për atë që kanë bërë dhe votuar, ose kanë pasur pikërisht qëllimin për të cilin po na akuzojnë ne sot”, ka deklaruar ai



