Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për deputet, Lorik Maxhuni, së bashku me sekretaren e përgjithshme të PDK-së, Vlora Çitaku, kanë zhvilluar një takim me gratë e Vushtrrisë, ku diskutuan për sfidat, nevojat dhe perspektivën e zhvillimit të vendit.
Maxhuni tha se gjatë takimit pati mundësinë të dëgjojë nga afër shqetësimet, idetë dhe vizionin e grave për të ardhmen e Kosovës, duke e cilësuar këtë komunikim si të rëndësishëm për hartimin e politikave që u përgjigjen nevojave të qytetarëve.
“Sot së bashku me Vlora Çitakun zhvilluam një takim me gratë e Vushtrrisë, ku patëm mundësinë të dëgjojmë nga afër shqetësimet, idetë dhe vizionin e tyre për të ardhmen”, ka deklaruar Maxhuni.
Ai theksoi se mbështetja e grave dhe besimi i tyre përbëjnë një motiv shtesë për angazhimin politik dhe për vazhdimin e punës në funksion të zhvillimit të vendit.
“Mbështetja dhe besimi që ato na japin përbëjnë një inkurajim të rëndësishëm për të vazhduar me përkushtim punën drejt ndërtimit të një Kosove më të zhvilluar dhe më të mirë për të gjithë qytetarët”, është shprehur kandidati i PDK-së.
Takimi në Vushtrri është pjesë e aktiviteteve të fushatës zgjedhore të Partisë Demokratike të Kosovës në prag të zgjedhjeve të 7 qershorit.




