Kërkesa për referendum për BE-në po hap një konflikt të ri politik mes pushtetit dhe opozitës rreth mënyrës së marrjes së vendimeve kyçe. Qeveria dhe një pjesë e partive opozitare e refuzojnë propozimin, ndërsa LSDM këmbëngul për shprehje të drejtpërdrejtë të qytetarëve. Nga Sofja vijnë mesazhe për zbatimin e obligimeve të marra nga procesi evropian, shkruan Sloboden Peçat, përcjell PressOnline.al.
Qeveria nuk mund të justifikohet me faktin se nuk ka para për një referendum në të cilin qytetarët duhet të vendosin për të ardhmen e tyre, të familjeve të tyre dhe fëmijëve të tyre. Ne prej muajsh paralajmërojmë se në buxhet nuk ka para, gjithçka është shpenzuar në tenderë korruptivë dhe për mbushjen e xhepave të tyre. Nuk pranojmë një justifikim të tillë. Kur ka para për tenderë, për avion të ri dhe për jetë luksoze të Mickoskit dhe grupit të tij kriminal, duhet të ketë para edhe për vendimin për fatin e shtetit dhe të gjithë qytetarëve, reagon lideri i LSDM-së Venko Filipçe pas refuzimit të Qeverisë për propozimin e tij për referendum për anëtarësim në BE.
"Qeveria duhet ta shpallë referendumin. Kjo është përgjegjësi e tyre politike. Qytetarët kanë të drejtë vetë të vendosin nëse duan të ardhme evropiane apo izolim të vazhdueshëm dhe dështim. Të gjithë ne, qytetarët, duhet të përdorim të gjitha mjetet demokratike për të ushtruar presion ndaj qeverisë që të shpallë referendum. Kjo nuk është vetëm çështje e një partie politike, kjo është çështje për të gjithë qytetarët e Maqedonisë. Referendum për BE tani" – deklaroi Filipçe për “Slloboden Peçat”, përcjell PressOnline.al.
Ai nuk iu përgjigj pyetjes së gazetës se cilat hapa do të ndërmarrin socialdemokratët pasi qeveria vlerësoi se referendumi është “humbje kohe dhe parash për qytetarët”, dhe nuk sqaroi si do ta shtyjnë përpara idenë dhe nëse po mendojnë të mbledhin 150.000 nënshkrime të nevojshme për nismë në Kuvend.
Ideja për referendum tani refuzohet edhe nga partitë opozitare BDI dhe Levica.
"Nuk na duhen veprime apo aktivitete shtesë sepse kërkesa, kushti dhe mesazhet që vijnë nga Brukseli janë të qarta: përmbushja e obligimeve që dalin nga Korniza Negociuese e vitit 2022" – thonë nga Bashkimi Demokratik për Integrim.
Sipas “Levicës”, sipas Kushtetutës, para hyrjes në BE parashihet referendum.
"Dhe duke qenë se bëhet fjalë për çështje kushtetuese, Levica në këto rrethana mbështet shprehje referendumi. Por në kontekstin aktual politik mendojmë se shpallja e referendumit është e panevojshme. Dhe duhet theksuar se LSDM nuk ka kredibilitet për të iniciuar referendum duke pasur parasysh faktin se ata më parë nuk e respektuan vullnetin e referendumit për ndryshimin e emrit të shtetit dhe së dyti e shpallën në mënyrë jokushtetuese referendumin e vitit 2018 si “konsultativ” – thotë deputetja Jovana Mojsoska.
“Valle maqedono-bullgare”
Ndërkohë, sinjalet dhe mesazhet që vijnë nga Sofja janë të qarta – Maqedonia duhet t’i përmbushë obligimet nga Korniza Negociuese nëse dëshiron anëtarësim në Bashkimin Evropian.
"Nuk bëhet fjalë për çështje bilaterale, por për marrëdhënie mes një vendi kandidat dhe Bashkimit Evropian" – deklaroi ministrja e Jashtme e Bullgarisë, Velislava Çamova-Petrova për BNT dhe shtoi se në këtë çështje ka unitet të plotë politik në Bullgari.
Ajo theksoi se toni nga pala bullgare mbetet shumë pozitiv, por pranoi se shpesh nuk sheh të njëjtin sjellje politike nga Shkupi.
"Shpresoj që nga ana tjetër të gjej pjekuri politike, të përpiqen të qasen në këtë mënyrë. Shpesh nuk e shoh" – tha ajo.
Ministrja kujtoi se ka marrë pjesë personalisht në negociatat për Kornizën Negociuese dhe e njeh në detaje marrëveshjen me Shkupin.
"Është për të ardhur keq që kthehem në qeveri pas katër vitesh dhe nuk ka përparim" – shtoi ajo.
Sipas Petrovas, autoritetet në Maqedoninë e Veriut duhet të shfrytëzojnë “dritaren e hapur” për zgjerimin e BE-së, në vend që të rrisin tensionet me Sofjen.
Kryeministri Hristijan Mickoski iu përgjigj Petrovas – "nuk mund të vallëzosh vetëm, ose vallëzon me partner ose nuk ke partner".
Ai përsëriti qëndrimin se derisa të shohë përmbushje nga pala bullgare, nuk do të lëvizë asnjë milimetër nga pozicionet e tij.
"Marrëdhëniet e mira fqinjësore janë rrugë dykahëshe. Nuk mund të vallëzosh vetëm – ose vallëzon me partner ose nuk ke partner. Jam i shqetësuar për qeverinë e re në vendin tonë fqinj lindor, por shpresoj që me kohë arsyeja të mbizotërojë. Do të punojmë dhe do të fitojmë si shumë herë në histori" – tha Mickoski.
Mickoski do të kërkojë zgjidhje përmes Koshtës
Kryetari i Këshillit Evropian, Antonio Koshta, nga 1 deri më 5 qershor do të vizitojë Ballkanin Perëndimor për t’u takuar me liderët e rajonit dhe për të bashkëkryesuar samitin BE–Ballkani Perëndimor në Tivat, Mal të Zi, më 5 qershor. Kryeministri Mickoski pret që gjatë vizitës së ardhshme të Kosta të shkëmbejnë ide për tejkalimin e pengesës në integrimin e vendit në BE.
Ai tha se do të kërkohet një zgjidhje që nuk cenon dinjitetin e popullit maqedonas dhe qytetarëve.
"Me presidentin e Këshillit Evropian kemi marrëdhënie shumë miqësore dhe diskutime konstruktive. Shpresoj që do të vazhdojmë në këtë drejtim dhe do të shohim si mund të tejkalohet pengesa" – tha Mickoski.
Në lidhje me propozimin e kancelarit gjerman Friedrich Merz për integrim gradual në BE, Mickoski tha se do të marrë pjesë në samit në Tivat për të dëgjuar më shumë mbi këto ide. (PressOnline.al)




