Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit janë rritur sërish gjatë fundjavës, pas një serie sulmesh dhe kundërsulmesh ushtarake në zonën strategjike të Ngushticës së Hormuzit.
Komanda Qendrore Amerikane, US Central Command (CENTCOM), njoftoi se ka kryer “sulme vetëmbrojtëse” ndaj objektivave ushtarake iraniane, duke argumentuar se veprimi erdhi si përgjigje ndaj “akteve agresive” të Iranit, përfshirë rrëzimin e një droni amerikan mbi ujëra ndërkombëtare.
Sipas ushtrisë amerikane, gjatë operacioneve të zhvilluara të shtunën dhe të dielën janë goditur sisteme të mbrojtjes ajrore, qendra kontrolli për dronë dhe dy mjete ajrore pa pilot iraniane në zonat e Gorukut dhe ishullit Qeshm. Uashingtoni pretendon se këto pajisje përbënin kërcënim për anijet që kalojnë në ujërat rajonale.
Nga ana tjetër, Garda Revolucionare Islamike (IRGC) deklaroi se ka goditur një bazë ajrore të përdorur nga forcat amerikane. Autoritetet iraniane nuk bënë të ditur vendndodhjen e saktë të bazës, por theksuan se reagimi ishte një kundërpërgjigje ndaj veprimeve amerikane.
Ndërkohë, Kuvajti, ku ndodhen baza ushtarake amerikane, njoftoi se sistemet e tij të mbrojtjes ajrore po përballeshin me “sulme armiqësore me raketa dhe dronë”. Mediat shtetërore raportuan se sirenat e alarmit u dëgjuan në disa zona të vendit.
Për zhvillimet reagoi edhe presidenti amerikan Donald Trump. Në një postim në rrjetin e tij social, ai u kërkoi kritikëve të “qetësohen”, duke shtuar se situata “do të përfundojë mirë” dhe se Irani “dëshiron vërtet të arrijë një marrëveshje”.
Përshkallëzimi i fundit vjen në një moment kur negociatat për një marrëveshje afatgjatë mes dy venE madhee nuk kanë shënuar përparim. Sipas raportimeve të mediave amerikane, administrata Trump ka kërkuar ndryshime në draft-marrëveshjen që po diskutohet, përfshirë çështje që lidhen me rihapjen e trafikut detar në Ngushticën e Hormuzit dhe largimin e uraniumit të pasuruar nga Irani.
Negociatori kryesor iranian deklaroi se Teherani nuk do të pranojë asnjë marrëveshje që nuk garanton plotësisht të drejtat dhe interesat e vendit.
Ngushtica e Hormuzit mbetet një nga korridoret më të rëndësishme energjetike në botë. Rreth një e pesta e eksporteve globale të naftës dhe gazit natyror të lëngshëm kalojnë përmes kësaj rruge detare, ndaj çdo përshkallëzim ushtarak në rajon ka ndikim të drejtpërdrejtë në tregjet ndërkombëtare të energjisë.




