Mungesa e supermodeles Karlie Kloss në listën e përfolur të të ftuarve në dasmën e Taylor Swift me Travis Kelce ka rikthyer në qendër të vëmendjes spekulimet për marrëdhënien e tyre të dikurshme të ngushtë.
Sipas raportimeve të mediave të huaja, Karlie nuk pritet të jetë pjesë e ceremonisë së shumëpërfolur, ndërsa mes emrave që përmenden si të ftuar janë Selena Gomez, Gigi Hadid dhe Abigail Anderson Berard.
Burime të cituara nga mediat rozë pretendojnë se Taylor dëshiron ta ndajë këtë moment të rëndësishëm vetëm me njerëzit që kanë qenë pranë saj në mënyrë të vazhdueshme ndër vite, duke lënë jashtë disa marrëdhënie që janë ftohur me kalimin e kohës.
Në rastin e Karlie Kloss, raportet për një distancim mes tyre qarkullojnë prej vitesh. Sipas këtyre pretendimeve, besimi mes dyshes është zbehur gradualisht, ndërsa në media është folur shpesh edhe për ndikimin që mund të kenë pasur lidhjet e mëvonshme të modeles me persona të përfshirë në konfliktet profesionale të këngëtares.
Taylor Swift dhe Karlie Kloss dikur konsideroheshin ndër mikeshat më të afërta të showbiz-it. Ato shfaqeshin shpesh së bashku në evente publike, fushata mode, klipe muzikore dhe në postime të shumta në rrjetet sociale.
Megjithatë, me kalimin e viteve, paraqitjet e tyre të përbashkëta u bënë gjithnjë e më të rralla, duke nxitur zëra për një krisje në miqësinë e tyre.
Edhe pse as Taylor Swift dhe as Karlie Kloss nuk kanë komentuar publikisht mbi këto raportime, mungesa e modeles në një ngjarje kaq të rëndësishme po interpretohet nga shumë fansa si një tjetër tregues se miqësia e tyre i përket tashmë së kaluarës.




