Konjufca në takim me Hoxhën kërkon mbështetjen e Shqipërisë për anëtarësimin e Kosovës në NATO

featured
Press Online
31 Maj 2026, 13:38

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka theksuar nevojën e mbështetjes së vazhdueshme të Shqipërisë për avancimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, përfshirë edhe aspiratën për anëtarësim në NATO.

Pas takimit me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha, Konjufca tha se koordinimi mes Kosovës dhe Shqipërisë në politikën e jashtme është i natyrshëm, pasi të dy shtetet ndajnë të njëjtat orientime strategjike.

“Me shtetin shqiptar ne kemi komunikim të vazhdueshëm lidhur me objektivat tona të përbashkëta shtetërore e kombëtare. Të koordinosh politikën e jashtme mes dy shteteve si Kosova dhe Shqipëria është gjëja më e lehtë, sepse ne përfaqësojmë interesat e të njëjtit komb”, deklaroi Konjufca.

Ai theksoi se orientimi drejt vlerave perëndimore dhe integrimit euroatlantik mbetet prioritet i përbashkët.

“Orientimet strategjike kah vlerat perëndimore dhe rruga euroatlantike janë përcaktim i kombit shqiptar dhe në këtë rrugëtim vendet tona janë gjithmonë përkrah njëra-tjetrës”, tha ai.

Konjufca shprehu bindjen se mbështetja e Shqipërisë do të vazhdojë edhe në procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, veçanërisht në NATO, të cilën e konsideroi një objektiv strategjik për sigurinë dhe të ardhmen e vendit.

Në të njëjtën kohë, ai përgëzoi Shqipërinë për progresin në procesin e integrimit evropian, duke vlerësuar se vendi fqinj është afër anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Të gjithë zyrtarët evropianë me të cilët takohem po thonë se Shqipëria është e dyta në radhë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Jemi besimplotë që Shqipëria do të jetë anëtare e Bashkimit Evropian brenda dy apo tri vitesh. Kjo do të jetë një arritje historike jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë kombin shqiptar”, u shpreh Konjufca.

Ai shtoi se, sikurse anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, edhe anëtarësimi i Kosovës në aleancën veri-atlantike mbetet një synim i rëndësishëm strategjik për shtetin e Kosovës.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter