Anglezët “pushtojnë” Budapestin, rritet adrenalina e finales së sotme, frikë nga përplasjet mes tifozërive

featured
Press Online
30 Maj 2026, 15:32

UEFA Champions League është ngjarja më e rëndësishme sportive e vitit në futbollin e klubeve në nivel global.

Kemi të bëjmë me një kompeticion me shifra shikueshmërie rekord dhe me një ndjeshmëri të lartë në mbarë globin, ndonëse trofeu është kontinental.

Kësisoj, dueli i sotëm në Budapest, që transmetohet në më shumë se 200 vende të botës, është gati për një vëmendje të jashtëzakonshme.

Topi do të nisë të rrotullohet në “Puskas Arena” në orën 18:00 dhe bashkë me të, shqiptarët do të kenë mundësi ta shijojnë komentin e kësaj sfide të madhe në ekranin e Vizion Plus.

Do të jetë në çdo rast një pasdite e ngjeshur në Vizion Plus, sepse analiza e prag-sfidës do të përcillet nga Vilma Masha dhe të ftuarit e saj në “Nata Champions” që në orën 17:00, pa lënë mënjanë “Arena Center”, një pikë takimi e Vizion Plus në zemër të Tiranës, me të gjithë të apasionuarit pas futbollit që mblidhen për të shijuar emocionet e finales.

Ndërkohë në Budapest, atmosfera është me elektrizuese se kurrë. Janë me fat 67 mijë tifozët që kanë mundur të sigurojnë një biletë për në stadium, ndërkohë që në disa zona të kryeqytetit hungarez janë ngritur fan zone për t’i dhënë mundësi gjithkujt ta përjetojë në një mënyrë tjetër këtë përballje.

Anglezët që kanë udhëtuar drejt Budapestit janë të shumtë në numër në raport me francezët. Për këtë arsye autoritetet vendase kanë rritur ndjeshëm masat e sigurisë, duke iu trembur përplasjeve të mundshme të tifozërive.

Kjo ka qenë një ndër arsyet pse UEFA vendosi që finalja të luhet nga tani e në vazhdim në orën 18:00, për menaxhimin më të mirë të post ndeshjes dhe udhëtimin e tifozëve në vendet e tyre që në mbrëmjen e finales, ndonëse për shumëkënd ky është një orar jo ideal për emocionet e ndeshjes së vitit.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter