Berisha me ekspertët e “Venecias”, kreu i PD: Rama përdori buxhetin e shtetit në fushatë

featured
Press Online
30 Maj 2026, 04:06

Kryetari i PD-së, Sali Berisha, shfrytëzoi një takim me ekspertët e Komisionit të Venecias për të rikthyer vëmendjen tek problematika e zgjedhjeve parlamentare të një viti më parë. Delegacioni i Komisionit të Venecias po takon të gjithë përfaqësuesit e forcave politike për të diskutuar në lidhje me projektligjin për financimin e partive, ndaj çështja kryesore ishin burimet e parave që përdorin forcat politike. Lideri i opozitës, Berisha, u përcolli ekspertëve shqetësimin për pabarazinë mes mazhorancës dhe opozitës, duke pretenduar se PS shfrytëzon në fushatë buxhetin e shtetit.

“Diferenca e financimit me paratë e buxhetit, midis dy forcave kryesore politike, shkon nga 700 në 1 mijë herë. Konkretisht, duke përjashtuar totalisht atë çka ligji përcakton për financimin e këtyre partive, jashtë përcaktimit ligjor, partia në pushtet organizoi në kohën e ndaluar nga ligji 4530 ngjarje, me një kosto nga disa qindra euro në 7 milionë euro para buxheti, siç ishte ‘Giro D’Italia’, një ditë para zgjedhjeve dhe ditën e zgjedhjeve. Një organizatë private, e cila u kontraktua nga Edi Rama për të ndikuar tek zgjedhësit.”

Berisha premtoi se çdo rekomandim i Komisionit të Venecias dhe ODIHR-it për projektligjin për financimin e partive do të zbatohet nga opozita. Dhe për herë të parë, Berisha deklaroi se është gati të bisedojë për depolitizimin e komisioneve zgjedhore.

“Ky problem është i negociueshëm, do të negociohet, mbasi vetë OSBE/ODIHR ka meritën e veçantë të stigmatizojë, jo terroriste, por aty afër, në rrafshin politik, patronazhistët për zgjedhjet.”

Në raport me reformën zgjedhore, Berisha foli për nevojën e miratimit të parashikimeve ligjore që çojnë në anulimin e zgjedhjeve kur procesi ka probleme.

“Ajo që ne mendojmë se është e domosdoshme, janë klauzolat e anulimit të zgjedhjeve. I vendosi Franca, pas akuzave, të themi se s’mund të them se janë të vërteta, për financime të paligjshme nga një shtet i huaj të fushatës elektorale.”

Ekspertët e Komisionit të Venecias ndodhen në Tiranë për të dëgjuar të gjitha palët në lidhje me draftin e ri për financimin e partive dhe do të publikojnë opinionin e tyre në mesin e muajit qershor. Për këtë draft kanë sjellë një mendim edhe ekspertët e ODIHR-it dhe më pas do të jetë Komisioni i Reformës Zgjedhore, i cili mbi rekomandimet e tyre do të bëjë ndryshimet finale në ligj.

/vizionplus.tv

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter