Një person i dyshuar për përfshirje në një rast vrasjeje që ka ndodhur mbrëmë në Prishtinë është dërguar në mbajtje nga Policia e Kosovës, me vendim të prokurorit të shtetit.
Sipas njoftimit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë, janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për garantimin e rendit dhe qetësisë publike, si dhe për kapjen e personave të dyshuar për veprimtari kriminale dhe vënien e tyre para drejtësisë.
“Drejtoria Rajonale e Policisë Prishtinë, ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme policore për të siguruar rendin dhe qetësinë publike në rajonin e Prishtinës, dhe kjo duke punuar me vendosmëri dhe përkushtim për kapjen e personave që dyshohen të jenë të implikuar në veprimtari kriminale, dokumentimin ligjor të veprimeve të tyre kriminale si dhe vënien e tyre para drejtësisë.
Si rrjedhojë e këtyre angazhimeve, nga njësiti i hetimeve të përgjithshme, është siguruar prezenca e personit të dyshuar:
– A.P, mashkull, shtetas i Republikës së Kosovës.
I dyshuari ka qenë në kërkim nga ana e policisë, për rastin e vrasjes që ka ndodhur mbrëmë në Prishtinë.
Pas përfundimit të procedutave të nevojshme policore, i dyshuari me vendim të prokurorit të shtetit është dërguar në qendrën e mbajtjes”, thuhet në njoftim.




