“Frankenstein” në adresë shtëpie: Dilerë kinezë ofrojnë drogë vdekjeprurëse si “dërgesë e shpejtë” për në Maqedoni

featured
Press Online
28 Maj 2026, 10:54

Hulumtim i “Slloboden Peçat”: Zbuluam një rrjet shitësish online që përmes shpalljeve të vogla, Telegramit, Signalit dhe pagesave me kriptovaluta ofrojnë substanca të reklamuara si nitazene — opioide sintetike të lidhura me qindra raste vdekjesh në mbarë botën.

Shikoja ekranin i tronditur: në videon që mora përmes “Telegram”, shihej një copë letër me emrin tim të përdoruesit dhe datën 19 maj 2026. Letra ishte vendosur mbi qese të mbushura me substancë pluhur. Dileri, numrin e të cilit e gjeta në një shpallje në dukje të zakonshme në një platformë maqedonase për shpallje, pretendonte se bëhej fjalë për “Frankenstein” – një opioid sintetik vdekjeprurës nga lloji i nitazeneve.

Emri “Frankenstein” nuk është rastësi. Kjo drogë është jashtëzakonisht e rrezikshme dhe 500 herë më e fortë se morfina. Ajo shkakton komë sepse nga doza mikroskopike njerëzit ndalojnë së marri frymë. Pikërisht për shkak të fuqisë së saj ekstreme, shumë persona humbin ndjenjat dhe nuk zgjohen më kurrë. shkruan Sloboden Peçat, përcjell PressOnline.al.

https://www.slobodenpecat.mk/wp-content/uploads/2026/05/1574216920355700755.mp4?_=1

Edhe pse qëllimi im si gazetare e “Sloboden Peçat” nuk ishte kurrë ta blija drogën, por të hulumtoja qasjen e lehtë në të, dileri ma dërgoi videon si “garanci” se malli ishte rezervuar për mua. Ai pretendonte se më parë kishte realizuar me sukses dërgesa edhe në Maqedoni. Vërtetësinë e këtij pretendimi, si dhe përbërjen e saktë kimike të pluhurit që reklamohej në platformën maqedonase si “protonitazen”, nuk mundëm ta verifikonim në mënyrë të pavarur.

– Pa ekspertizë nuk mund të themi se ajo substancë është pikërisht ajo që reklamohet. Në tregjet botërore ofrohet gjithçka. Duhet të ketë sekuestrim dhe realizim të paktën të një grami, të analizohet toksiciteti dhe psikotropia, e deri atëherë nuk mund ta dimë nëse bëhet fjalë për një truk marketingu apo për rrezik të vërtetë – thotë për “Sloboden Peçat” Ljubomir Gjurçevski, ish-shef i lartë në MPB.

Hulumtimi më çoi edhe në faqet e internetit për shpallje në Sllovaki. Edhe atje “vlojnë” persona që prezantohen si dilerë online të nitazeneve. Dy prej tyre, kontaktet e të cilëve ishin publike në platformën sllovake, si garanci për sigurinë gjatë blerjes së këtyre drogave të prodhuara në laborator, më dërguan prova të brendshme për dërgesa të tyre të pretenduara nëpër Evropë.

Sipas këtyre fotografive të dërgesave të supozuara të suksesshme me postë të nitazeneve, autenticitetin e të cilave nuk munda ta konfirmoj në mënyrë të pavarur, vetëm gjatë këtij muaji në Bullgari kishin hyrë katër dërgesa me këtë substancë, ndërsa kishte pasur dërgesa edhe në Francë.

Fotografi origjinale e dërguar nga një “furnizues”, numri i telefonit i të cilit ishte lënë në shpallje të vogla në Sllovaki, në një reklamë ku shiteshin nitazene dhe prekursorë të tjerë. “Sloboden Peçat” i kërkoi prova për dërgesa të mëparshme në rajon dhe mori këtë fotografi.

Dyshimi se nuk bëhej fjalë për një mashtrim naiv në internet, por për trafikim të vetëdijshëm ilegal të narkotikëve, u forcua në momentin kur dilerëve ua zbulova identitetin tim të vërtetë si gazetare.

Reagimi i tregtarëve ishte i menjëhershëm: sapo u prezantova si gazetare, ata fshinë në panik të gjitha materialet e dërguara për dërgesat e tyre të pretenduara postare nga bisedat tona në aplikacionin “Telegram”. Por ato tashmë ishin ruajtur. Dhe dukeshin kështu:

Dërgesa e dytë e realizuar nga i njëjti dërgues, me numër gjurmimi të ndryshuar në mënyrë që të mos jetë i identifikueshëm (ndryshimi u bë nga “Sloboden Peçat”, ndërsa në origjinal fotografitë mbërritën me numrat e plotë të gjurmimit të paketës).

Kur i futa dy numrat për gjurmimin e këtyre pakove (tracking numbers) në sistemin e ndjekjes së dërgesave të Royal Mail, ato më çuan te paketa ekzistuese të dorëzuara. Kur e pyeta dërguesin se çfarë kishte në to, mora përgjigjen:

– 5 centilitra protonitazen APVP.

Ndërsa punoja mbi këtë temë, një shpallje për shitjen e protonitazenit dhe prekursorëve të tjerë ilegalë në një platformë maqedonase për shpallje ishte aktive, por të nesërmen u fshi. Gjithashtu gjeta gjurmë të disa shpalljeve të ngjashme që ishin publikuar dhe fshirë më parë në të njëjtën platformë.

Në secilën “reklamë” të tillë, shitësit lënë pa asnjë skrupull të gjitha kontaktet për qasje direkte tek ata – “Telegram”, “Signal”, “WhatsApp”, por edhe adresat e tyre në një aplikacion të koduar zviceran për të cilin nuk nevojiten numra telefoni dhe adresë për regjistrim. Krahas nitazeneve ofrojnë edhe një “alfabet” të tërë prekursorësh të tjerë. Fotografitë e shpalljeve dukeshin kështu:

Tregtia me “Frankenstein” duket se kërkon lojtarë këmbëngulës të vendosur për të depërtuar edhe në Ballkan. Duke u fshehur pas mesazheve të koduara, komunikova me pesë prej tyre – katër me numra telefoni nga Hong Kongu dhe një që pretendonte se dërgonte nga Londra.

Përmes shpalljeve online të shpërndara në Maqedoni dhe rajon, ata ofronin substanca që i paraqisnin si nitazene me dërgesë deri në adresë shtëpie. Shitjen e drogës vdekjeprurëse e trajtonin me të njëjtën lehtësi si tregtinë me një biçikletë të përdorur.

Ja si dukeshin disa nga bisedat tona:

https://www.slobodenpecat.mk/wp-content/uploads/2026/05/p1.mp4?_=2

Si dëshmi se “mallin” e kishin në dispozicion, në komunikim më dërgonin lista të sakta çmimesh, fotografi dhe video-materiale. Strategjia e tyre e marketingut në “Telegram” mbështetej në publikime publike (Stories) ku demonstrohej i gjithë procesi i prodhimit dhe paketimit: në videot shiheshin dhjetëra qese të mbushura me substanca pluhur, shishe me kimikate të panjohura, miksera kuzhine ku përpunohej një masë e trashë kafe, si dhe peshore digjitale.

Pamjet tregonin laboratorë të improvizuar që funksionojnë jashtë çdo sistemi kontrolli, ku pretendohet se prodhohen nitazene — substanca që lehtësisht shkaktojnë mbidozë dhe vdekje.

https://www.slobodenpecat.mk/wp-content/uploads/2026/05/p2.mp4?_=3

Pjesa më e madhe e tyre më pohonin prerazi se “nuk do të ketë problem në doganë”.

Më jepnin adresat dhe kodet QR të kuletave të tyre kripto për të kryer pagesën. E pasi tërhiqesha dhe zhdukesha, duke mos dashur të kryeja transaksion kriminal me bitcoin, për ditë të tëra merrja pyetje të shqetësuara pse pagesa nuk ishte kryer dhe pse nuk doja të isha në “biznes të mirë” me ta.

Ajo që nuk mora, edhe pse ua kërkova, ishte dëshmi se më parë kishin dërguar nitazene në Maqedoni. Njëri prej tyre ma pranoi hapur:

– Na fal, ne jemi dilerë droge. Nuk është profesionale të dërgojmë prova të tilla për arsye sigurie. Por dërgesa e paketës tënde është njëqind për qind e garantuar, ta premtoj.

Dilerët nga platformat e shpalljeve pretendonin se kishin logjistikë të konsoliduar kontrabande dhe se dërgesa mund të organizohej për 3 deri në 14 ditë, varësisht se nga ku pretendonin se ndodheshin – nga Hong Kongu deri në Londër. Ata ofronin “garanci” të çuditshme për dërgesë të sigurt dhe 99 për qind pastërti të nitazeneve në shpalljet e tyre.

– Dërgesa është 100 për qind e sigurt dhe garantoj se do të të arrijë për 72 orë në lokacionin tënd sapo të ma japësh adresën. Porosia do të dorëzohet me DHL ose UPS, por mund të përdorim edhe shërbim tjetër sipas zgjedhjes tënde – më shkroi njëri prej tyre.

Por ai nuk ishte i vetmi:

– Mund të dërgojmë në Maqedoninë e Veriut, dërgesa bëhet nga Kina. Bromazolam, metonitazen. A të duhet edhe kjo? Protonitazeni kushton 13.900 dollarë për kilogram, metonitazeni 13.200 dollarë për kilogram. Pagesa bëhet me bitcoin. Më parë kemi dërguar në Maqedoninë e Veriut. Patjetër do të arrijë për 12-14 ditë. Për shqetësimin tënd rreth doganës, spediteri ynë i besueshëm e ka zgjidhur tashmë atë pjesë. Ofrrojmë shërbim derë më derë, me kalim dogane dhe taksa të përfshira. Më parë kemi dërguar produkte në atë shtet dhe të gjitha kanë arritur të sigurta te blerësit. Po flas konkretisht për protonitazen dhe metonitazen. Ji e qetë për cilësinë. Ne marrim përsipër rrezikun për të prodhuar këto produkte të specializuara pikërisht për të ndërtuar partneritet afatgjatë me klientët. Vetëm me cilësi maksimale mund t’i mbajmë përdoruesit afatgjatë – më shkroi në përmbledhje shitësi i dytë me numër telefoni nga Hong Kongu që e gjeta në platformën online.

Një tjetër, i gjetur po në këtë mënyrë përmes aplikacionit “Signal”, më pretendoi se deri më tani në Maqedoni kishte kontrabanduar vetëm “produkte të ngjashme”, ndërsa për gjysmë kilogrami protonitazen kërkoi 4.600 dollarë në një kuletë specifike kripto mbi të cilën kishte simbole kineze. Kur e pyeta si do të arrinte paketa, tha:

– Kryesisht dërgojmë përmes FedEx.

Kur kërkova ndonjë dëshmi për një rrugë të mëparshme kontrabande drejt Maqedonisë, shitësi u arsyetua se e kishte humbur sepse ishte “e vjetër”. Si zëvendësim, më përcolli një mesazh nga spediteri i tij ku pretendohej se “Maqedonia ka shkallë të lartë pranimi për dërgesa ekspres”.

Ai më dërgoi edhe katalogun e të gjithë “repertorit”, ku kishte listë prekursorësh ilegalë me emra kompleksë si dhe fotografi të asaj që ai pretendonte se ishte protonitazen dhe metonitazen. Telefoni im mbushej me fotografi të substancave pluhur mbi peshore digjitale.

– Do të të arrijë për 7 deri në 10 ditë. Ne kemi fabrikën tonë dhe aty prodhojmë. Kemi edhe R6890, ka efekt të ngjashëm me protonitazenin.

Më pas kalova në një platformë shpalljesh në Bosnje dhe Hercegovinë.

Atje gjeta dy reklama të ndryshme me pamje të ngjashme – një fotografi gjenerike e një vajze “e ngjitur” pranë një pluhuri dhe emrat e drogave me shkronja fluoreshente. Të dy reklamat kishin numra të ndryshëm telefoni me kod të Hong Kongut.

Duke kontaktuar njerëzit nga ana tjetër, në dy biseda të ndara, pasi mora konfirmim se shisnin protonitazen, u kërkova dëshmi për dërgesa të mëparshme. I pari më dërgoi nga ekrani i tij fotografi me lëvizjen e një pakete të dorëzuar përmes United States Postal Service drejt Indianapolis, Indiana.

Dëshmia për një dërgesë të mëparshme e marrë nga një shitës i nitazeneve.

Ai kishte lënë edhe numrin për gjurmimin e dërgesës. Kur e kontrollova në mënyrë të pavarur në sistemin online të USPS, arrita ta verifikoja autenticitetin e dërgesës. Paketa ishte dërguar nga personi që në internet prezantohej si diler nitazenesh. Kur e pyeta çfarë përmbante paketa, ai m’u përgjigj:

– Nuk ke nevojë të dish çfarë ka në paketat e njerëzve të tjerë. Duhet vetëm të dish se ne mund ta transportojmë atë në mënyrë të sigurt.

I njëjti bashkëbisedues më dërgoi edhe dëshminë e mëposhtme për një dërgesë të suksesshme në Depok të Indonezisë, duke harruar të fshinte shiritin ku shkruhej adresa URL, dhe kështu zbuluam se ajo adresë çonte drejt një sistemi të plotë për përpunimin e porosive të klientëve, pranimin e mallrave në magazinë, ndjekjen e ndryshimeve në stok dhe dokumentimin digjital të çdo operacioni.

Fotografi e marrë si dëshmi për një dërgesë të suksesshme nga një furnizues online. Fusha ku ndodhej edhe adresa e internetit (URL) është mjegulluar nga redaksia e “Sloboden Peçat”.

Në fund të të gjitha bisedave, të gjithëve u tregova se jam gazetare.

– A dëshironi të na jepni një deklaratë për shitjen e nitazeneve në Ballkan dhe mënyrën si i shmangni kontrollet doganore dhe policore duke shkaktuar vdekje në mbarë botën?

Të gjithë refuzuan, ndërsa njëri kërkoi që të blija drogë në këmbim të një deklarate.

Disa raste indikative në burgun e Idrizovës

Profesori i Klinikës së Toksikologjisë, doktor Niko Beqarovski, për “Sloboden Peçat” thotë se nëse gjysmë kilogrami metonitazen do të mbërrinte në Maqedoni, atëherë shteti mund të shndërrohej në “territor pa banorë”.

Profesori paralajmëron se Evropa është përmbytur nga këto helme nga laboratorë të fshehtë kinezë, ndërsa Maqedonia është plotësisht e papërgatitur. Në Klinikën e Toksikologjisë nuk ekzistojnë teste të shpejta për detektimin e nitazeneve, që do të thotë se të gjitha testet e tjera do të rezultonin negative, duke i lënë mjekët të verbër përballë kërcënimit të ri.

Problemi thellohet edhe nga mungesa e “naloksonit” – terapi antidot që largon opioidët nga receptorët e trurit dhe e rikthen pacientin nga koma në jetë pasi ka marrë substancë të përzier me nitazene.

Sipas dy burimeve të “Sloboden Peçat” që punojnë me persona të varur, “naloksoni” nuk lejohet fare të blihet në farmaci në Maqedoni dhe të mbahet me vete, siç ndodh në disa shtete perëndimore. Edhe vetë shërbimet emergjente dhe spitalet përballen me mungesë të këtij preparati për rikthim në jetë pas mbidozës me opioide.

– Maqedonia ka mungesë të plotë të terapisë antidotike. Vetëm të shpresojmë që ky valë të na anashkalojë, sepse pasojat do të ishin tragjike – thotë doktor Beqarovski.

Ai zbulon edhe dyshime shqetësuese:

– Kemi pasur raste me pacientë nga KP Idrizovë ku përdorëm doza enorme antidoti për të arritur zgjimin. Edhe pse pretendonin se bëhej fjalë për metadon, shenjat klinike dhe sasia e ilaçit të përdorur sugjeronin për fentanil ose nitazene. Por nuk kishim mënyrë ta vërtetonim – thotë ai.

Biseda video me profesor dr. Beqarovski vijon më poshtë:

Burgu i qarkut Cook në Çikago, pas një serie mbidozash fatale, zhvilloi një hetim serioz që i çoi te protonitazeni si një nga shkaktarët, së bashku me edhe 9 droga sintetike të kontrabanduara në qeli në një mënyrë të çuditshme – duke zhytur faqe librash, letra dhe posta të burgut në këto droga sintetike.

Disa prej tyre vinin të paketuara si dërgesa të zakonshme postare. Më pas të burgosurit i pinin këto letra. Aleks Krotulski nga Qendra për Hulumtime Forenzike, për “Fox 32” deklaroi se dyshon që këto substanca me shumë gjasa porositeshin nga Kina dhe përziheshin së bashku në fletë letre, me njohuri minimale për reagimet mes tyre ose për dozën vdekjeprurëse.

Ballkani është në rrezik, ndërsa Evropa tashmë po varros viktima

Nitazenet nuk janë vetëm një tjetër drogë sintetike në tregun e zi. Ato janë jashtëzakonisht të rrezikshme. Qindra raste vdekjesh janë konfirmuar në vendet e Bashkimit Evropian, Australi dhe SHBA si pasojë e drogës “Frankenstein”.

Zyrtarisht, nitazenet kanë marrë mbi 400 jetë në Britaninë e Madhe për një vit e gjysmë. Por bilanci real mbetet i paqartë – testimet e pamjaftueshme dhe mangësitë forenzike tregojnë për shumë raste vdekjesh pa diagnozë. Një nga dilerët që lokalizova përmes një platforme lokale shpalljesh, pa hezitim konfirmoi se pikërisht nga Londra mund të organizonte dërgesë të kësaj substance në vendin tonë.

Autoriteti australian për kontrollin e kufijve ka sekuestruar nitazene të fshehura në lodra fëmijësh dhe fasha mjekësore.

Estonia, me 1.3 milion banorë, po përballet me epidemi mbidozash nga nitazenet që janë shtuar në lloje të tjera droge, si heroina dhe droga të klubeve. Nuk ekziston dozë e sigurt.

Agjencia e Bashkimit Evropian për Drogat, në gusht të vitit të kaluar, paralajmëroi se nitazenet nuk janë vetëm kërcënim teorik, por se statistikat evropiane e konfirmojnë potencialin e tyre fatal. Sistemet e monitorimit tregojnë se “Frankenstein” tashmë po përhapet drejt Gjermanisë, Francës, Suedisë dhe Norvegjisë. Ballkani nuk është i izoluar nga trendi që tashmë ka goditur Evropën. Shpalljet janë rajonale, ndërsa një hulumtim i fundit i “Detektor” tregoi se një dërgesë e tillë nga një platformë shpalljesh dyshohet se tashmë ka mbërritur në një adresë në Bosnje dhe Hercegovinë.

“Frankenstein” është opioid sintetik që kurrë nuk mori miratim mjekësor – thjesht është tepër i fuqishëm. I zhvilluar në vitet ’50 nga gjiganti farmaceutik zviceran “Ciba”, i cili kërkonte analgjetikë më të fuqishëm, nitazenet u hodhën poshtë që në fillim. Arsyeja nuk ishte mungesa e efikasitetit, por potenciali i tyre tmerrues për të shkaktuar kolaps respirator nga doza jashtëzakonisht të vogla.

Sot, kriza e opioiE madhee i ka rikthyer këto molekula “të humbura” nga laboratorët e harruar dhe i ka futur në botën tonë digjitale.

Natyra e rrezikshme e kësaj “droge Frankenstein” qëndron në padukshmërinë e saj: ajo përzihet ose shitet si zëvendësim për heroinë, kokainë, ketaminë apo edhe si pilula false. Çdo dozë është “rulet rus” – një sfidë që sot kërcënon gjithë botën.

Në shpalljet që gjeta kishte edhe numra CAS – numra unikë ndërkombëtarë për klasifikimin e substancave kimike. Dilerët pretendojnë në mënyrë të rreme se shesin nitazene për “hulumtime kimike” për të shmangur filtrat e platformave të shpalljeve. Por është krejtësisht e pamundur që kjo substancë të shitet për kërkime. Ajo është studiuar prej kohësh si e papranueshme në mjekësi. Mënyra e vetme si mund të shitet është si drogë ilegale.

Nuk ka sekuestrime në Maqedoni

Drejtoria Doganore e Maqedonisë, nga fillimi i vitit 2025 deri më sot, nuk ka sekuestruar asnjë sasi të drogës “Frankenstein” me nënllojet e saj të reklamuara në Ballkan dhe Maqedoni – protonitazen, metonitazen, izotonitazen dhe etonitazen.

– Dërgesat postare i nënshtrohen kontrolleve të detyrueshme që kryhen sipas rregulloreve doganore. Kontrollet, sipas analizës së rrezikut, mund të përfshijnë kontroll të detajuar dokumentacioni, por edhe kontroll fizik, sipas kritereve të përcaktuara të rrezikut ose dyshimit të arsyeshëm nga zyrtari doganor për tentativë të transferimit ilegal të mallrave. Në lidhje me temën konkrete, ju informojmë se Drejtoria Doganore ka njësi të posaçme të trajnuara për analizë, njohje, detektim dhe parandalim të tentativave për kontrabandë të substancave të ndaluara. Një prej tyre është edhe njësia K9 me qen të trajnuar për detektimin e substancave narkotike dhe psikotrope. Gjithashtu, Drejtoria Doganore posedon pajisje të sofistikuara për detektimin e substancave të ndaluara, përfshirë aparate për zbulimin e përbërjes kimike të substancave – thanë nga Drejtoria Doganore për “Sloboden Peçat”.

Ata shtojnë se nëse konstatohet prania e drogës ose substancave psikotrope në një dërgesë postare, nis hetim.

– Si shembull mund të përmendim rastin kur gjatë kontrollit të një pakete postare u zbuluan MDMA, mefedron dhe marihuanë. Sektori për kontroll dhe hetime ndërmori veprime shtesë operative dhe gjatë dorëzimit të paketës personi u arrestua, ndërsa u krye edhe kontroll në banesën ku qëndronte. Përbërja e saktë e substancave përcaktohet me ekspertizë sipas urdhrit të prokurorit publik. Sa i përket pyetjes për sekuestrim konkret të këtyre substancave, ju njoftojmë se nuk kemi evidencë për sekuestrim të tyre – thanë nga Drejtoria Doganore.

Departamenti për ekzaminime forenzike pranë MPB-së gjithashtu u përgjigj se nuk ka të regjistruar sekuestrime të këtyre substancave. Nga MPB thanë se, meqë deri më tani nuk ka raste të regjistruara, nuk disponojnë të dhëna për origjinën e drogës apo mënyrën e fshehjes dhe transportit të paketave. Megjithatë, sigurojnë se kanë kapacitete për ta detektuar drogën.

– Në aspektin e detektimit laboratorik, Departamenti për ekzaminime forenzike dhe ekspertiza pranë MPB-së disponon aparaturë moderne dhe metoda analitike për identifikimin e substancave të reja psikoaktive, përfshirë edhe substancat nga grupi i nitazeneve – thanë nga MPB.

Nga Prokuroria Publike nuk morëm përgjigje nëse ndonjëherë është zhvilluar hetim për këtë substancë në territorin e Maqedonisë. “Sloboden Peçat” kërkoi përgjigje edhe nga platforma ku shfaqeshin këto shpallje. Ata u distancuan prerazi, duke pretenduar se raste të tilla janë të izoluara dhe se bashkëpunojnë aktivisht me MPB-në, duke kryer edhe kontrolle manuale. Kërkuam qëndrime edhe nga DHL dhe FedEx në Maqedoni. DHL u përgjigj, ndërsa nga FedEx nuk morëm përgjigje deri në publikimin e hulumtimit.

– DHL e merr jashtëzakonisht seriozisht keqpërdorimin e shërbimeve logjistike për aktivitete ilegale dhe kemi procedura strikte sigurie dhe kundërmasa në rrjetin tonë për zbulimin dhe parandalimin e transportit të përmbajtjeve të ndaluara, përfshirë substancat narkotike. Këto masa kombinojnë teknologji të avancuar të kontrollit me procese monitorimi të bazuara në rrezik. Më e rëndësishmja, punonjësit tanë në vijën e parë janë të trajnuar për të njohur parregullsitë. Sapo identifikohen dyshime, dërgesat i nënshtrohen inspektimeve shtesë dhe, kur është e nevojshme, bashkëpunojmë ngushtë me doganat dhe organet e rendit – thanë për “Sloboden Peçat” nga DHL Maqedoni.

DEA u ka hyrë në gjurmë fabrikave kineze

Sipas të dhënave të Agjencisë Amerikane Kundër Drogës (DEA), prodhimi kinez i nitazeneve po përhapet me shpejtësi në botë. Nëse ky zinxhir ilegal nuk ndërpritet, ky helm kërcënon ta shndërrojë krizën e opioiE madhee në një katastrofë të pakontrollueshme në Amerikë. Në aeroportet e Norvegjisë dhe Suedisë janë zbuluar paketa nga Gjermania dhe Holanda të etiketuara si “elektronikë”, “produkte bukurie”, “mostër pigmenti”, “kornizë plastike” – të mbushura me nitazene.

Edhe pse mund të duket se dilerët nga platformat e shpalljeve janë lojtarë të izoluar, SHBA tashmë ka regjistruar dhe sanksionuar kartele globale që kanë shkruar historinë e krizës së opioiE madhee.

Mes tyre është “Hanhong Pharmaceutical Technology”, e udhëhequr nga Du Changgen, njeriu përgjegjës për prodhimin e sasive tonëshe të nitazeneve, fentanilit dhe metamfetaminës. Dokumentet e Departamentit Amerikan të Thesarit zbulojnë rrjete si “Jiangsu Bangdeya”, e cila përmes ndërmjetësve të lidhur me të famëkeqin Yip Chuen Fat – person për të cilin SHBA ofrojnë shpërblim prej 5 milionë dollarësh – e përmbyti botën me prekursorë, protonitazen dhe metonitazen.

E gjithë kjo sugjeron një sistem të mirëorganizuar që kërkon objektiva të rinj – viktima në të gjithë botën.

Zinxhirët e furnizimit çojnë drejt burimeve alarmante. Sipas një hulumtimi të “Bellingcat”, kompania “Hiersun Biotech”, e cila reklamonte intensivisht nitazene, ishte e lidhur drejtpërdrejt me faqe interneti të kontrolluara nga “Yafeng Biological Technology” – kompani në pronësi të një burgu shtetëror kinez.

Ndërsa mbyllja bisedat e fundit në “Telegram” me dilerët, në ekran vazhdonin të qëndronin mesazhet e tyre: “dërgesa është e sigurt”, “nuk ka problem me doganën”, “do të arrijë për disa ditë”. Në botë, mesazhe të tilla tashmë kanë përfunduar me qindra raste vdekjesh.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter