Kreditë e shpejta larg kazinove dhe bastoreve – a do të kenë efekt ndryshimet ligjore?

featured
Press Online
26 Maj 2026, 10:38

Ekspoziturat e kompanive për kredi të shpejta pritet të largohen nga afërsia e kazinove dhe bastoreve sportive, ndërsa do të ndalohen edhe reklamat agresive me sllogane si “para të shpejta”, “kredi të shpejta” apo “dyqan parash”. Kjo është një nga masat që paralajmërohen në kuadër të ndryshimeve të Ligjit për Shoqëritë Financiare, të cilat po diskutohen nga grupacioni pranë Odës Ekonomike që përfaqëson kompanitë e kredive të shpejta, informon PressOnline.al.

Nga Ministria e Financave ende nuk zbulojnë detaje konkrete, edhe pse kryeministri Hristijan Mickoski para një jave deklaroi se po shqyrtohen masa të tilla.

Sipas kryetarit të grupacionit, Nikolla Joshevski, ndryshimet do të ndikojnë seriozisht në një pjesë të këtyre shoqërive financiare, por megjithatë sektori është dakord me nevojën për rregullim më të madh të tregut.

Ndërkohë, para dy ditësh Ministria e Financave i hoqi licencën njërës prej kompanive që merret me kredi të shpejta, pas një inspektimi të jashtëzakonshëm të iniciuar nga një ankesë qytetare. Inspektorët konstatuan shkelje serioze që, sipas autoriteteve, i kishin ekspozuar qytetarët ndaj rrezikut financiar.

Nga grupacioni thonë se mbyllja e një kompanie që punëson rreth 100 persona dhe operon me 40 ekspozitura nuk është çështje e vogël, sidomos duke pasur parasysh se qytetarët ende duhet t’i kthejnë kreditë e marra.

Megjithatë, ata theksojnë se heqja e licencave nuk është risi, pasi që nga miratimi i ligjit të ri para dy vitesh janë revokuar gjithsej 11 licenca për kompani të këtij sektori.

Qëllimi i ndryshimeve ligjore është ulja e rrezikut nga mbingarkesa me borxhe e qytetarëve, rritja e mbrojtjes së konsumatorëve, si dhe forcimi i transparencës dhe përgjegjësisë në punën e shoqërive financiare.

Kompanitë kishin afat deri më 15 maj për të tërhequr fushatat agresive reklamuese, sidomos ato që promovonin kredi me “0% interes”. Që nga fillimi i këtij viti janë shqiptuar 22 gjoba financiare ndaj 16 shoqërive dhe janë lëshuar 23 urdhra për eliminimin e parregullësive.  (PressOnline.al)

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter