Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, ka paralajmëruar prishjen e marrëveshjes kornizë me njërën nga dy kompanitë e angazhuara për furnizimin me uniforma për njësitë speciale policore, informon PressOnline.al.
Bëhet fjalë për kompaninë serbe “Pamiteks Tim”, e cila ishte përgjegjëse për furnizimin me uniforma njëngjyrëshe për policinë speciale.
Vendimi vjen pasi një analizë e kryer jashtë vendit ka konfirmuar se mostrat e dorëzuara nuk e plotësojnë cilësinë e kërkuar sipas dokumentacionit të tenderit. Përveç ndërprerjes së kontratës, Ministria e Punëve të Brendshme do ta aktivizojë edhe garancinë bankare të kompanisë. Marrëveshja kishte vlerë potenciale deri në 1.7 milion euro.
Ministri Toshkovski deklaroi se afatet për dorëzimin e materialit janë respektuar në përputhje me zgjatjet e lejuara ligjërisht dhe me kushtet e kontratës, por analiza ka treguar se uniformat e dorëzuara nuk i përmbushin standardet dhe cilësinë e kërkuar.
““Sipas informacioneve që kam, afati për dorëzimin e materialit cilësor, i cili duhej të dorëzohej në formën e uniformave, është respektuar në përputhje me zgjatjet e afatit që janë miratuar në kuadër të ligjit dhe kontratës nga njëra prej kompanive. Ajo kompani ka dorëzuar uniforma, të cilat janë kërkuar të jenë në përputhje me rregulloren, standardet dhe cilësinë e kërkuar.””, deklaroi Toshkovski për “360 Gradë”.
Nga MPB-ja nuk kanë bërë të ditur nëse do të hapet procedurë e re për furnizimin me uniforma për njësitë speciale policore. (PressOnline.al)




