Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria ka kaluar me sukses një tjetër etapë të rëndësishme në procesin e integrimit europian, pavarësisht sulmeve dhe shpifjeve të opozitës.
Ai akuzoi kundërshtarët politikë se kanë tentuar të dëmtojnë imazhin e vendit në arenën ndërkombëtare përmes protestave të dhunshme, akteve vandale dhe fushatave denigruese ndaj qeverisë dhe procesit të negociatave me Bashkimin Europian.
Sipas Ramës, opozita përhapi pretendime se rruga europiane e Shqipërisë ishte bllokuar dhe se vendi ishte izoluar, por zhvillimet e fundit në Bruksel treguan të kundërtën. Kryeministri theksoi se më 26 maj Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri–BE do të vulosë përmbylljen e fazës hyrëse dhe hapjen e fazës përfundimtare të negociatave për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian.
“Ashtu siç dhe dihej, shënimi i shënimeve është ai që lidhet me ballafaqimin mes Komisionit Europian dhe shteteve anëtare në Bruksel, për raportin e detyrave të kryera nga Shqipëria pas çeljes së të gjithë kapitujve të negociatave.
Ai ballafaqim mori kohën e vet, në ndërkohë që “molotovarët” e Tiranës u lëshuan të dëshpëruar në një ofensivë të pashoqe energjie negative, u lëshuan rrugëve për ta djegur medoemos Shqipërinë në sytë e botës, gëzonin si fëmijët kur fotot e kazanëve me flakë apo të molotovëve e flakadanëve që hidheshin nëpër Tiranë bënin xhiro në median e botës. Mblidh benzinë e hidh bombë artizanale me vandalë të paguar, u lëshuan po ashtu kanaleve e portaleve të Shqipërisë për t’i helmuar shqiptarët.
Mblidh e hidh jargë urrejtjeje politike, pasqyrë më pasqyrë, u lëshuan nëpër Europë me thasë balte e llumi proverbial krejt edhe ajo çka ndodhi me të ashtuquajturën vizitë treditore në Ministrinë e Jashtme në Berlin. Në fakt, për ta zhgarravitur Shqipërinë në sytë e partnerëve tanë, kudo ku ishte e mundur, mblidhu e hidhu lart e poshtë për të kërkuar ndëshkim, bllokim, izolim për Shqipërinë, duke lënë kokrrën e namit si asnjë opozitë tjetër në historinë e integrimeve europiane të venE madhee që sot janë pjesë e Bashkimit Europian apo synojnë të bashkohen me të.
Thanë se rruga europiane ishte e bllokuar, thanë se Shqipëria ishte më në fund e ndëshkuar, thanë se qeveria jonë ishte krejt e izoluar. U gënjyen, u gënjyen, se gjithnjë nga ajo mendja e tyre e cekët dhe e mbrapshtë dhe, në fund, në fund, humbën me turp dhe Shqipëria fitoi përsëri me mund, me dinjitet dhe me krenari. Kështu, më 26 maj, në Bruksel, Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri – Bashkimi Europian vulos përmbylljen me sukses të fazës hyrëse dhe hap fazën përfundimtare të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Kemi ngjitur një tjetër lartësi të vështirë drejt majës, ku do të arrijmë me çdo kusht brenda kësaj dekade dhe ku do të vendosim flamurin e Skënderbeut dhe të Ismail Qemalit aty, në oborrin e shtëpisë së madhe të Europës së Bashkuar”, tha Rama.



