Fitore heroike e Egnatias, rrogozhinasit mposhtin Vllazninë dhe “flirtojnë” me titullin kampion!

featured
Press Online
23 Maj 2026, 22:33

Egnatia mposht  Vllazninë në një ndeshje plot emocione dhe i afrohet shumë titullit kampion. Skuadra e drejtuar nga Nevil Dede arriti të fitojë me shifrat 1-2 në “Air Albania”, ndeshje e vlefshme për javën e dytë të Final 4.

Ndeshja nisi me Vllazninë më të uritur dhe më ofensive, por goli erdhi në anën tjetër në minutën e 39-të. Eljon Sota shfrytëzon në perfeksion një kros nga e djathta dhe me një gjuajtje shumë të kalibruar me kokë arrin të tundë rrjetën.

Goli i jep qetësi skuadrës rrogozhinase, që luan më e tërhequr dhe i lë terren Vllaznisë. Shkodranët janë të parashikueshëm dhe Egnatia arrin t’i neutralizojë. Por kjo situatë zgjat deri në minutën e 77-të kur Qato përfiton nga një top i kthyer nga shtylla dhe arrin të tundë rrjetën më kokë.

Por avantazhi zgjat shumë pak, sepse Fangaj telekomandon sërish një kros nga e djathta dhe Adjessa koordinohet në perfeksion për të realizuar një tjetër gol fotokopje dhe rikthyer avantazhin.

LEXO EDHE: Formula1/ Tension te Mercedes, Rusell fiton garën Sprint në Kanada! Sulmon Antonelli: Më bëri padrejtësi!

Ky moment i golit pasohet nga një tension i madh në fushën e lojës, ku stafet dhe dy ekipet u përleshën me njëri-tjetrin, me protagonistë kryesorë Aleksin dhe Gurishtën.

Ky moment i kushton Egnatias, sepse kapiteni largohet me kartonin e dytë të verdhë dhe lë ekipin me një lojtar më pak, kur u dhanë 11 minuta shtesë. Egnatia sakrifikon deri në fund dhe merr një fitore, që e afron me titullin, megjithëse do të duhet të shihet rezultati i ndeshjes Elbasani-Dinamo dhe dy ndeshjet e raundit të fundit.

 

 

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter