Ministria e Financave ka marrë vendim për revokimin e lejes së punës për një nga kompanitë më të mëdha financiare në tregun maqedonas. Vendimi pason një mbikëqyrje të jashtëzakonshme të iniciuar pas denoncimit nga një qytetar, me ç'rast janë konstatuar shkelje të rënda të dispozitave ligjore.
Në njoftimin e dërguar prej atje thuhet se mbikëqyrja inspektuese ka vërtetuar mosrespektim të ashpër të ligjeve dhe veprim që është në kundërshtim direkt me rregullat për mbrojtjen e përdoruesve, pasi kompania financiare ka aplikuar praktika me të cilat ka vënë direkt në rrezik qytetarët që kanë shfrytëzuar shërbimet e tyre.
Për shkak të seriozitetit dhe peshës së këtyre parregullsive, Ministria ka marrë vendim për revokimin e përhershëm të lejes për ushtrimin e veprimtarisë.
"Ministria e Financave edhe në vitin 2026 vazhdon me kontrolle të përforcuara në terren dhe jashtë terrenit ndaj kompanive financiare. Në mbikëqyrjet e deritanishme janë konstatuar disa parregullsi, me ç'rast nga fillimi i vitit e deri më tani janë shqiptuar 22 gjoba për 16 kompani, si dhe 23 urdhëresa me shkrim për mënjanimin e parregullsive të vërtetuara", thonë nga atje, informon PressOnline.al
Paralelisht me mbikëqyrjen e përforcuar inspektuese në terren, nga Ministria e Financave thonë se tashmë po punojnë edhe në ndryshimet e rregullativës ekzistuese me qëllim të ashpërsimit shtesë të kushteve dhe kritereve sipas të cilave këto kompani mund të operojnë në treg.
"Qëllimi i ndryshimeve ligjore është të zvogëlohet rreziku nga mbingarkesa me borxhe e qytetarëve, të sigurohet mbrojtje më e madhe e konsumatorëve dhe të rritet transparenca e përgjegjësia në punën e kompanive financiare. Ministria e Financave do të vazhdojë me kontrolle intensive dhe do të ndërmarrë të gjitha masat e disponueshme sipas ligjit, me qëllim mbrojtjen e qytetarëve dhe parandalimin e mosrespektimit të ligjit", thuhet në njoftimin e Ministrisës së Financave.



