Trajneri Ivan Gvozdenoviç u shfaq në konferencë për shtyp, ndërsa përpara është ndeshja Elbasani-Dinamo. Ky takim do të luhet më 24 maj, prej orës 19:00 në stadiumin “Air Albania”. Surpriza e madhe është se ekziston mundësia, që portieri Janaçek dhe Bruno Lulaj ta nisin nga minuta e parë.
“Nesër kemi ndeshjen e dytë në Final Four. Përballë kemi Dinamon. Dinamo ka deri tani një moment të mirë dhe formë të mirë. Por kjo është edhe motiv plus për ne dhe shans tjetër për ne. Ne jemi gati për nesër.
Kemi menduar për çdo gjë. Kemi punuar shumë nga ana psikologjike. Ishte ndeshje e dobët, por prapë jemi skuadër shumë e mirë. Kam grup shumë të fortë. Sezoni për ne ishte shumë i suksesshëm. Nuk kemi shumë nevojë të rrijmë të mërzitur. Patjetër e thashë, ne jemi për kritikë për ndeshjen e fundit. Dhe unë e pranova, ishte Egnatia skuadra më e mirë. Prapë futbolli është i bukur sepse gjithmonë ka një shans tjetër. Dhe nesër është për ne një shans tjetër. Ne jemi gati dhe do reagojmë.
LEXO EDHE: Vllaznia-Egnatia vendos fatin e Final Four, ja dy skenarët që duhet të dini dhe statistikat!
Çfarë ndodhi? Është për analizë të gjatë, nuk mund ta them tani shkurt. Jo presioni sepse presioni ishim gjithë sezonin. Nga java e parë deri në javën e 36-të. Tani ndoshta humbi pak përqëndrimi, ishim ndoshta në gjumë se ne kemi arritur objektivin e parë, Europën. Ndoshta ky ishte një problem i vogël për ne. Prapë nuk mund të flasim shumë sepse pas kampionatit mund të bëjmë një analizë të saktë.
Janaçek dhe Lulaj? Kjo është pozitive për ne. Kemi nevojë për çdo lojtar. Bruno është kapiten, kemi nevojë të rrijë afër me ne. Do fillojë me ne në fushë, bashkë me Janin. Tani do shohim, kemi një stërvitje të fundit sot dhe do diskutojmë me stafin bashkë. Pastaj do vendosim, por kemi një shans që ndoshta do aktivizojmë dhe Brunon dhe Janin”, u shpreh Gvozdenoviç.



