Presidenti rus, Vladimir Putin, ka premtuar hakmarrje pasi akuzoi Ukrainën për kryerjen e një sulmi vdekjeprurës ndaj një konvikti studentor në një pjesë të pushtuar të Ukrainës lindore.
Gjashtë persona u vranë dhe 39 të tjerë u plagosën nga sulmi gjatë natës në qytetin Starobilsk, në rajonin e Luhanskut, tha presidenti rus teksa edhe 15 persona të tjerë rezultojnë të zhdukur, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Ushtria ukrainase tha se kishte goditur selinë e njësisë elitare ruse të dronëve “Rubicon” në Starobilsk teksa nuk u sqarua nëse bëhej fjalë për të njëjtën ndërtesë që Rusia identifikoi si objektivin e sulmit.
Por Putin deklaroi se “nuk kishte objekte ushtarake, shërbime inteligjence apo struktura të lidhura me to në afërsi”.
“Prandaj, nuk ka absolutisht asnjë bazë për të pretenduar se municionet goditën ndërtesën si rezultat i sistemeve tona të mbrojtjes ajrore ose luftës elektronike,” tha ai gjatë një pritjeje në rezidencën e Kremlinit në Moskë të premten.
Ai urdhëroi ushtrinë ruse të përgatisë “propozime” për mënyrën e kundërpërgjigjes.
Lideri rus tha se sulmi ukrainas ishte kryer në tri valë duke përdorur 16 dronë.
Herët të shtunën, zyrtarët rusë raportuan se dy persona u plagosën pasi mbetjet e dronëve shkaktuan zjarr në një depo nafte në portin rus të Detit të Zi, Novorossiysk.
Shtabi rajonal i Krasnodarit bëri të ditur se “disa ndërtesa teknike administrative u përfshinë nga flakët” dhe fragmente dronësh ranë mbi një terminal karburanti.
Dy personat e plagosur po trajtohen në spital, ndërsa nuk raportohen viktima.
Autoritetet thanë gjithashtu se dronët dëmtuan disa shtëpi private në qytetin portual Anapa, më në veri.
Ushtria ukrainase deklaroi të premten vonë se sulmi gjatë natës kishte pasur në shënjestër njësinë “Rubicon” në Starobilsk teksa akuzoi këtë njësi speciale të dronëve për sulme të vazhdueshme ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile në Ukrainë.
Në deklaratë thuhej gjithashtu se forcat ukrainase po “shkaktojnë dëme ndaj infrastrukturës dhe objekteve ushtarake të përdorura për qëllime ushtarake, duke respektuar normat e së drejtës ndërkombëtare humanitare dhe zakonet e luftës”.
Të enjten, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se selia e shërbimit rus të sigurisë FSB ishte goditur në rajonin jugor të Khersonit, të pushtuar nga Rusia.
Sipas tij, rreth 100 “pushtues” rusë u vranë ose u plagosën.
Ukraina ka akuzuar vazhdimisht ushtrinë ruse për shënjestrim të qëllimshëm të civilëve që nga fillimi i pushtimit të plotë rus në vitin 2022 — akuza që Moska i mohon rregullisht.
Javën e kaluar, zyrtarët ukrainas thanë se 24 persona, përfshirë tre vajza, u vranë kur një raketë ruse shkatërroi një bllok banimi shumëkatësh në kryeqytetin Kiev.



