Ka përfunduar etapa e katërt e edicionit të 83-të të Rrethit Çiklistik të Shqipërisë. Me një itinerar prej 153 kilometrash, gara nisi nga Vlora në drejtim të Tunelit të Llogarasë, Himarës, Qeparos, Kuçit dhe u rikthye sërish në Vlorë. Etapa ishte mjaft emocionuese dhe shumë e luftuar nga çiklistët pjesëmarrës.
Pas rreth katër orësh garë, i pari në finish mbërriti çiklisti holandez Nils Ritmajer, i cili la pas grekun Bourgas, ndërsa vendi i tretë u rendit nga një tjetër holandez, Schouren.
Pas garës, vetë fituesi u shpreh i kënaqur jo vetëm për triumfin në këtë etapë, por edhe për faktin se tashmë kryeson renditjen e përgjithshme të Rrethit Çiklistik.
Ndërkohë, në podium trofeu i fituesit iu dorëzua nga presidenti i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Hanxhaku. I pranishëm ishte edhe ish-çiklisti vlonjat Besmir Banushi.
Të premten do të zhvillohet etapa e fundit, me nisje nga Vlora, vijim drejt Lushnjës dhe kthim në Fier, aty ku do të jetë edhe finishi i madh i këtij edicioni.
LEXO EDHE: Turi çiklistik, belgu triumfon në garën me gjatësi 177 km që përfundoi në Lezhë!
Rrugët në hyrje dhe dalje të qytetit të Vlorës janë paralizuar këtë të enjte për shkak të zhvillimit të etapës së radhës së ‘Turit Çiklistik të Shqipërisë’.
Dhjetëra automjete kanë mbetur të bllokuara në trafik për rreth 45 minuta, duke krijuar radhë të gjata dhe pakënaqësi tek qytetarët dhe drejtuesit e mjeteve.
Po ashtu bëhet e ditur se e bllokuar është edhe aurostrada Novoselë-Vlorë, e cila është një nga arteriet kyçe për hyrjen në qytetin bregdetar.
LEXO EDHE: Çiklisti polak shfaq plagët pas aksidentit horror në Milano-Sanremo!



