Tashmë është zyrtare: Pep Guardiola do të largohet nga Manchester City në fund të sezonit, duke mbyllur një epokë historike te “Citizens”.
Menjëherë pas konfirmimit të largimit të tij, emri i teknikut katalanas ka nisur të lidhet me stolin e kombëtares italiane.
Sipas raportimeve të LaPresse, të konfirmuara nga burime pranë trajnerit spanjoll, Guardiola është shprehur i hapur për të diskutuar mundësinë e drejtimit të Italisë në të ardhmen. Katalanasi po e konsideron seriozisht këtë opsion, që do të shënonte rikthimin e tij në Itali pas eksperiencave si futbollist me Romën dhe Brescia-n.
Megjithatë, pengesa kryesore për momentin mbetet situata institucionale në Federatën Italiane të Futbollit. FIGC pritet të zgjedhë presidentin e ri më 22 qershor, dhe vetëm pas këtij procesi mund të nisë konkretisht kërkimi për trajnerin e ardhshëm të “Azzurrëve”.
Aktualisht, pas largimit të Gennaro Gattuso-s dhe një pjese të stafit teknik, kombëtarja italiane është përkohësisht nën drejtimin e trajnerit të U-21, Silvio Baldini, i cili do të udhëheqë skuadrën në miqësoret kundër Greqisë dhe Luksemburgut.
Çështja financiare
Një marrëveshje mes Guardiolës dhe Italisë do të kërkonte një sakrificë të madhe ekonomike nga ana e trajnerit. Te Manchester City, Guardiola përfitonte rreth 28 milionë euro në sezon, pa përfshirë bonuset dhe pagat e stafit të tij teknik.
Federata italiane nuk është në gjendje të ofrojë shifra të ngjashme, ndaj çdo marrëveshje eventuale do të mbështetej më shumë te projekti sportiv sesa te aspekti financiar.
Guardiola: “Kam nevojë për pushim”
Në konferencën për shtyp para ndeshjes së fundit në Premier League kundër Aston Villa-s, Guardiola foli edhe për të ardhmen e tij: “Tani kam nevojë për pushim. Nuk do të jem trajner për një periudhë. Kam 17 ose 18 vite në nivelin më të lartë, me presion çdo tre ditë për të fituar gjithçka. Duhet të ndalem pak, të marr frymë dhe të relaksohem.”
Deklarata e tij nuk e mbyll derën për një aventurë të re në të ardhmen, përfshirë edhe mundësinë e drejtimit të Italisë.



