Detaje të reja po dalin në dritë lidhur me vdekjen misterioze të Isak Andic, themeluesit të gjigantit të modës Mango dhe një prej njerëzve më të pasur në Catalonia.
Biznesmeni humbi jetën në dhjetor 2024 pasi ra nga një shteg malor në zonën e Montserrat, por hetimet tashmë kanë marrë një kthesë dramatike.
Djali i tij, Jonathan Andic, i cili po hetohet për vrasje të paqëllimshme, u lirua të martën pasi pagoi një garanci prej 1 milion eurosh.
Sipas raportimeve të gazetës spanjolle “La Vanguardia”, më 14 dhjetor 2024 baba e bir kishin shkuar për ecje në zonën malore të Montserrat dhe kishin nisur itinerarin Les Feixades nga parkingu i Cogbatos.
Vetëm pak minuta pas fillimit të ecjes, 71-vjeçari thuhet se ra në humnerë dhe ndërroi jetë si pasojë e plagëve të rënda.
Raportimet pretendojnë se Jonathan Andic nuk telefonoi menjëherë shërbimet e emergjencës. Sipas mediave spanjolle, ai kontaktoi fillimisht ish-partneren e babait të tij, Estefania Knuth, ndërsa telefonata drejt numrit të emergjencës 112 u bë disa minuta më vonë.
Rreth gjysmë ore pas incidentit, dy alpinistë që ndodheshin në zonë dëgjuan britmat e Jonathanit dhe iu afruan për ta ndihmuar.
Burime të cituara nga “La Vanguardia” pretendojnë se ai dukej i çorientuar, ndërsa një prej alpinistëve mori telefonin e tij për të ndihmuar në përcaktimin e vendndodhjes së saktë për ekipet e emergjencës.
Megjithatë, dëshmitë e dy alpinistëve nuk janë përfshirë në dosjen zyrtare të çështjes, pasi hetuesit vlerësuan se ata nuk kishin parë drejtpërdrejt momentin e rënies.
Hetimi mori një drejtim tjetër pasi çështja kaloi në duart e gjyqtares Raquel Nieto Galván në vitin 2025.
Sipas raportimeve, gjyqtarja miratoi vlerësimin e policisë se Jonathan Andic mund të mos ketë treguar saktësisht çfarë ndodhi ditën e vdekjes së të atit.
Dosja përfshin edhe fotografi të gjurmëve të këmbëve në vendngjarje, si dhe një raport teknik të njësisë alpine të policisë, ku ngrihen dyshime se disa prej gjurmëve mund të jenë krijuar qëllimisht për të simuluar një rrëshqitje aksidentale.
Hetuesit kanë evidentuar gjithashtu kontradikta në deklaratat e Jonathan Andic, ndërsa autoritetet sekuestruan edhe telefonin e tij celular për analiza të mëtejshme.
Ai u arrestua të martën në mëngjes në banesën ku jeton me bashkëshorten e tij, Paula Natta, por më pas u lirua pasi pagoi shumën e garancisë.



