Close Menu
Press OnlinePress Online
  • BALLINA
  • MAQEDONI
  • EKONOMI
  • KOSOVË
  • SHQIPËRI
  • GLOBI
  • OPINIONE
  • SPORT
  • SHOWBIZ
  • LIFESTYLE
  • TEKNOLOGJI
Më të rejat

Alarm për linë e deleve dhe dhive: 438 mijë kafshë nisin vaksinimin në Maqedoni

19 Nëntor 2026

Aksion në gjithë Kosovën: Mbyllen 15 lokale ‘muzikë live’ dhe qendra masazhi, prangosen 8 persona

19 Nëntor 2026

Schweinsteiger ngre në piedestal talentin me origjinë shqiptare: Lojtar i nivelit botëror!

19 Nëntor 2026
Press OnlinePress Online
  • IMPRESUM
  • MARKETING
  • KONTAKT
24.2° C Shkup ▼
Facebook Instagram YouTube TikTok
  • BALLINA
  • MAQEDONI
  • EKONOMI
  • KOSOVË
  • SHQIPËRI
  • GLOBI
  • OPINIONE
  • SPORT
  • SHOWBIZ
  • LIFESTYLE
  • TEKNOLOGJI
Press OnlinePress Online

Merz propozon: Ballkani Perëndimor si vëzhgues në BE, Ukraina si anëtare e asociuar

Press Online22 Maj 2026 GLOBI
Facebook LinkedIn WhatsApp Email Twitter Copy Link

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, propozoi që vendeve të Ballkanit Perëndimor t’u jepet statusi i vëzhguesit në Bashkimin Evropian, ndërsa Ukrainës statusi i së ashtuquajturës anëtare e asociuar pa të drejtë vote.

Në një letër që Merz ua dërgoi liderëve të BE-së – presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, si dhe presidentit qipriot, Nikos Christodoulides, aktualisht kryesues i BE-së – ai vlerëson se nevojitet një dinamikë e re për Ukrainën, Ballkanin Perëndimor dhe Moldavinë.

Në letrën që Radio Evropa e Lirë e pa, Merz thekson se procesi i zgjerimit të BE-së është duke zgjatur shumë dhe, sipas tij, kjo shkakton zemërim të kuptueshëm si te vendet kandidate, ashtu edhe te shtetet anëtare.

Ballkani Perëndimor – vëzhgues në institucionet e BE-së

Për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Moldavinë, Merz propozon shqyrtimin e “zgjidhjeve inovative” për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit të tyre në BE.

Ai sugjeron, mes tjerash, qasje të privilegjuar në tregun e vetëm evropian dhe lidhje më të ngushta me institucionet e BE-së në procesin e përditshëm të vendimmarrjes.

Ai, po ashtu, propozon dhënien e statusit të vëzhguesit për vendet e Ballkanit Perëndimor në të gjitha institucionet relevante të Bashkimit Evropian, si dhe mbajtjen e mbledhjeve të përbashkëta të Komisionit Evropian ose Parlamentit Evropian me përfaqësues të rajonit, për çështje që lidhen drejtpërdrejt me të.

“Integrimi gradual mund të realizohet përmes ndërtimit të blloqeve që do të shërbenin si bazë për zbatimin e plotë të fushave përkatëse të politikave, dhe më pas do të shoqërohej me mbështetje më të madhe në zbatimin e ligjeve të BE-së. Përveç kësaj, mund ta avancojmë edhe integrimin institucional mbi bazën e progresit real. E gjithë kjo mund t’i afrojë ndjeshëm vendet kandidate me ne dhe të nxisë një ambicie të re për reforma të mëtejshme drejt anëtarësimit të plotë”, thuhet në letrën e kancelarit gjerman.

“Të qëndrojmë fort të përkushtuar ndaj premtimit se vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Moldavia mund t’i bashkohen Bashkimit Evropian, siç është përcaktuar në Kriteret e Kopenhagës dhe në Agjendën e Selanikut të vitit 2003. Qëllimi ynë nuk ka ndryshuar: kompletimi i Bashkimit Evropian përmes përfshirjes së të gjitha vendeve kandidate”, theksohet në letër.

Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Mali i Zi, Serbia, Bosnje dhe Hercgovina dhe Maqedonia e Veriut janë kandidate për anëtarësim, ndërsa Kosova jo.

Ukraina si anëtare e asociuar

Kreu i Qeverisë gjermane propozon që Ukrainës menjëherë t’i mundësohet të afrohet më shumë me Bashkimin Evropian dhe institucionet e tij kryesore, “pa ndikuar në negociatat e vazhdueshme të pranimit, por duke inkurajuar dhe mbështetur atë proces”.

Sipas tij, statusi i “shtetit anëtar të asociuar” mund të përfshijë, ndër të tjera, pjesëmarrjen në takimet e udhëheqësve ose ministrave të Bashkimit Evropian pa të drejtë vote, statusin e një anëtari të asociuar të Komisionit Evropian dhe Parlamentit Evropian, gjithashtu pa të drejtë vote, si dhe zbatimin gradual të ligjeve të Bashkimit Evropian në përputhje me përparimin e Ukrainës në negociatat e pranimit – “jo automatikisht, por pas miratimit të Këshillit të Bashkimit Evropian dhe me klauzolat e përshtatshme mbrojtëse”.

Merz, gjithashtu, propozon një mekanizëm automatik kthimi, në rast të kthimit prapa në vlerat themelore të Bashkimit Evropian, veçanërisht kur bëhet fjalë për sundimin e ligjit ose hapa prapa strukturorë në negociatat e pranimit.

“Ukraina është anëtare e familjes evropiane dhe ne do të vazhdojmë ta mbështesim atë në ndërtimin e një të ardhmeje paqësore dhe të begatë brenda Bashkimit Evropian. Me këtë qasje, Ukraina do të bënte një hap të madh përpara, duke iu afruar menjëherë anëtarësimit të plotë. Ne do t’i ofronim Ukrainës një ekuivalent të rëndësishëm të anëtarësimit, që tejkalon shumë atë që do të mund ta arrinim në afat të mesëm përmes metodologjisë sonë të pranimit, veçanërisht duke marrë parasysh procesin e ratifikimit”, thuhet në letën e kancelarit gjerman.

Ai nënvizon, po ashtu, se propozimi për Ukrainën pasqyron situatën specifike të këtij vendi.

Paralelisht, thuhet në letër, Bashkimi Evropian do të vazhdojë me procedurën e rregullt të pranimit, për të siguruar që pranimi formal të arrihet sa më shpejt që të jetë e mundur.

Kreu i Qeverisë gjermane beson se këto propozime nuk kërkojnë ndryshime në kuadrin institucional dhe ligjor të Bashkimit Evropian, por vetëm një “marrëveshje të fortë politike”.

Ai shton se këto çështje mund të zgjidhen nëse evropianët marrin një qasje konstruktive ndaj këtij statusi të veçantë, sepse do të ishte një sinjal i fortë politik, për të cilin Ukraina dhe qytetarët e saj kanë nevojë në kohën e luftës së vazhdueshme të tyre kundër agresionit rus.

Previous ArticleBE jep “dritën jeshile” për IBAR, të premten, raporti në Këshillin e Ambasadorëve. Në 26 maj, konferenca Shqipëri-BE
Next Article Akuzohet për vrasjen e të atit, themeluesit të Mango, e lirohet me 1 milion euro garanci? Dalin detaje tronditëse…

Lajme të ngjashme

Kushner takohet me kancelarin Merz në Berlin: Po përgatitemi për raundin e ardhshëm të negociatave!

19 Nëntor 2026 GLOBI

Sulmet ruse në Kiev, dëmtohen ambasadat e Holandës dhe Austrisë! Ministri i Jashtëm ukrainas: Putin është terrorist, duhet trajtuar si i tillë!

19 Nëntor 2026 GLOBI

“I lidha në trup”, influencuesja tregon si transportoi 20 mijë dollarë në një udhëtim 32 orësh…

19 Nëntor 2026 GLOBI

Grevë e përgjithshme në Itali, në rrezik transporti hekurudhor, shkollat e shëndetësia…

19 Nëntor 2026 GLOBI

Italia ndryshon projektbuxhetin 2027, pension në moshën 64-vjeçare dhe lehtësi të reja fiskale për të rinjtë

19 Nëntor 2026 GLOBI

Fëmijët në Roblox, në rrezik/ Akuza ndaj platformës: Nuk mbron të miturit. Dy dëshmitarë rrëfejnë para Senatit

19 Nëntor 2026 GLOBI
Lajmet e fundit

Alarm për linë e deleve dhe dhive: 438 mijë kafshë nisin vaksinimin në Maqedoni

Press Online19 Nëntor 2026 MAQEDONI

 Ka nisur vaksinimi masiv i deleve dhe dhive kundër sëmundjes së lisë…

Aksion në gjithë Kosovën: Mbyllen 15 lokale ‘muzikë live’ dhe qendra masazhi, prangosen 8 persona

Press Online19 Nëntor 2026 KOSOVË

Policia e Kosovës ka realizuar planin operativ “Vjeshta 2026”, në kuadër të…

Schweinsteiger ngre në piedestal talentin me origjinë shqiptare: Lojtar i nivelit botëror!

Press Online19 Nëntor 2026 SPORT

Brajan Gruda është futbollisti i momentit në Gjermani. Talenti me origjinë shqiptare…

Florian Nesimi: BDI-ja kopjon idetë e PPD-së, ja faktet

Press Online19 Nëntor 2026 MAQEDONI

Analisti Florian Nesimi, në një postim, ka kritikuar BDI-në, duke e cilësuar…

Anthropic thyen rekordin e SpaceX, mbledh 107.3 miliardë dollarë në IPO dhe…

Press Online19 Nëntor 2026 TEKNOLOGJI

Kompania amerikane e inteligjencës artificiale Anthropic ka shënuar një rekord të ri…

© 2018 - 2026 PressOnline.al
  • IMPRESUM
  • MARKETING
  • KONTAKT

Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.