Mickoski sërish bëri thirrje për bashkim, ndërsa VMRO-DPMNE e quajti Filipçen pion bullgar

featured
Press Online
20 Maj 2026, 14:05

Në 150-vjetorin e Kryengritjes së Razllovcit, kryeministri Hristijan Mickoski sërish bëri thirrje për bashkim kombëtar, në të njëjtën ditë kur partia e tij, VMRO-DPMNE, edhe një herë e akuzoi liderin e opozitës se është pion i Bullgarisë, përcjell PressOnline.al.

Në fjalimin e mbajtur në fshatin Razllovc të Dellçevës, Mickoski bëri thirrje për bashkim rreth interesave shtetërore dhe kombëtare, duke theksuar se asnjë dallim politik nuk guxon të jetë më i madh se atdheu dhe asnjë ambicie personale nuk guxon të jetë më e rëndësishme se e ardhmja e fëmijëve tanë. “Të mos lejojmë askënd ta poshtërojë shtetin. Sakrifica e tyre, e kryengritësve, le të jetë zotimi ynë”, tha ai.

Kryengritja e Razllovcit u ngrit më 19 maj 1876 nga rreth tridhjetë persona, të udhëhequr nga Dimitar Berovski dhe Pop Stojani. Në ditët në vijim, numri i kryengritësve arriti në 300, të cilët vepronin në rajonin e Maleshevisë. Kryengritja u shtyp pas dhjetë ditësh, më 29 maj.

Kryengritja e Razllovcit, pavarësisht dështimit të saj, është e rëndësishme sepse nxiti vetëdijen maqedonase për liri. Sundimin osman, Mickoski në fjalimin e tij e quajti “një kohë të rëndë dhe të errët”.

“Në këto fshatra, në këto kodra dhe male, lindi mendimi se atdheu nuk është vetëm tokë, por ideal për të cilin ia vlen të vuash, të sakrifikosh dhe të jetosh. Kryengritja e Razllovcit është themel. Ajo është shkëndija e parë që më vonë do të shndërrohej në flakën e madhe të luftës revolucionare, të Ilindenit, të Republikës së Krushevës, të të gjitha sakrificave dhe të gjitha gjeneratave që e mbanin atdheun në zemër”, tha kryeministri.

Më pas, Mickoski iu kthye temës së tij të preferuar se “ky shtet nuk guxon të jetë shtet i poshtërimeve, lëshimeve dhe shitjeve. Ky popull ka vuajtur shumë për të lejuar që dikush lehtësisht të tregtojë me nderin e tij, por edhe me identitetin dhe historinë”.

Ai tha se “duhet të bashkohemi për interesat shtetërore dhe kombëtare. Sepse asnjë dallim politik nuk guxon të jetë më i madh se atdheu. Asnjë ambicie personale nuk guxon të jetë më e rëndësishme se e ardhmja e fëmijëve tanë”.

Nuk është e qartë se kujt ia drejtoi thirrjen për bashkim, kur në të njëjtën kohë i sulmoi kundërshtarët e tij politikë se nuk kanë treguar gatishmëri të sakrifikohen për atdheun, ndërsa të tjerëve u kanë bërë lëshime. Ai po ashtu tha se populli duhet të jetë i kujdesshëm se për kë voton.

“Ky vend më së shumti ka vuajtur atëherë kur nga brenda ka pasur njerëz të gatshëm që për interes personal ta përkulnin shtetin. Populli duhet të jetë i kujdesshëm kujt ia beson të ardhmen. Të mos u besojë atyre që lehtë ofrohen për pushtet, por kurrë nuk kanë treguar gatishmëri të sakrifikohen për atdheun. Atyre që para popullit flasin për patriotizëm, ndërsa pas dyerve të mbyllura u japin dhurata dhe lëshime atyre që nuk ia duan të mirën shtetit. Të mos lejojmë askënd që përsëri ta shesë si monedhë të lirë politike”, theksoi Mickoski.

Duke përcjellë mesazhe patriotike, Mickoski tha se maqedonasit janë “popull me shpirt të madh. Popull që ka kaluar nëpër ndarje, padrejtësi, luftëra dhe mohime, e megjithatë ka mbijetuar. Prandaj askush nuk ka të drejtë ta nënvlerësojë forcën e popullit”.

Ai porositi se duhet të ndërtohet një shtet që nuk do të jetojë nga e kaluara, por do ta ndërtojë të ardhmen mbi themelet e historisë së vet.

“Duhet të bashkohemi për interesat shtetërore dhe kombëtare. Sepse asnjë dallim politik nuk guxon të jetë më i madh se atdheu. Asnjë ambicie personale nuk guxon të jetë më e rëndësishme se e ardhmja e fëmijëve tanë”, tha kryeministri.

Ndërsa kryeministri Mickoski në Razllovc bënte thirrje për bashkim, zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Valentin Manasievski, tha se Venko Filipçe “bashkëpunon me mohuesit tanë”. “Me këto politika të buta, Filipçe u jep hapësirë autoriteteve bullgare të na shantazhojnë dhe të thonë se në Maqedoni ekziston një grup i vogël politikanësh që do t’ua plotësojnë kërkesat. Filipçe edhe më tej mbetet besnik ndaj Bullgarisë”, tha Manasievski.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter