Afrika po përballet përsëri me një nga makthet më shkatërruese shëndetësore në dekada. Epidemia e Ebolës që shpërtheu në Republikën Demokratike të Kongos ka shkaktuar të paktën 131 vdekje e qindra raste të dyshuara, duke bërë që Organizata Botërore e Shëndetësisë të shpallë emergjencë shëndetësore publike me shqetësim ndërkombëtar.
Virusi po përhapet me shpejtësi përtej shpërthimeve fillestare, duke arritur në zona të reja të Kongos lindore e ka raste në Ugandë.
Ekspertët janë veçanërisht të shqetësuar për llojin përgjegjës për epideminë: Bundibugyo, variant i rrallë dhe veçanërisht i rrezikshëm për të cilin nuk ka vaksinë ose trajtim specifik.
OBSH: Rrezik ndërkombëtar shëndetësor
Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka përcaktuar shpërthimin si një “emergjencë shëndetësore publike me shqetësim ndërkombëtar”, niveli më i lartë i alarmit që agjencia e OKB-së ka ngritur.
Sipas OBSH-së, rreziku i përhapjes lokale dhe rajonale është i lartë dhe numri aktual i infeksioneve mund të jetë shumë më i lartë nga sa regjistrohet zyrtarisht.
Agjencia u ka bërë thirrje venE madhee fqinje që të forcojnë menjëherë mbikëqyrjen shëndetësore, kontrollet kufitare dhe përgatitjen spitalore.
Uganda dhe Kongo, ku rastet janë konfirmuar tashmë, janë nxitur të intensifikojnë kontrollet ndërkufitare për të parandaluar përhapjen e virusit. Ruanda dhe Nigeria kanë njoftuar gjithashtu masa paraprake dhe monitorim të shtuar.
Simptomat e Ebolës
Ebola është një ethe hemorragjike virale shumë ngjitëse që përhapet nëpërmjet kontaktit të drejtpërdrejtë me lëngjet trupore të infektuara.
Simptomat fillestare mund të ngjajnë me ato të gripit të rëndë: temperaturë e lartë, dobësi e fortë, dhimbje muskujsh, koke e fyti. Ndërsa sëmundja përkeqësohet, ndodhin të vjella, diarre, dehidratim e dështim i organeve të brendshme.
Në raste të rënda, ndodhin gjakderdhje të brendshme dhe të jashtme, dështim i shumëfishtë i organeve dhe shok septik.
Vdekshmëria mund të jetë shumë e lartë, veçanërisht në mungesë të trajtimit në kohë dhe ambienteve të përshtatshme shëndetësore. Periudha e inkubacionit në përgjithësi varion midis 2 dhe 21 ditëve.



