Dani Carvajal do të largohet nga Real Madridi në përfundim të këtij sezoni, ka njoftuar klubi mbretëror përmes një komunikate zyrtare.
Mbrojtësi i djathtë dhe kapiteni i "Los Blancos" mbyll kështu një kapitull legjendar, duke u larguar si një prej lojtarëve më të trofeshëm dhe më të rëndësishëm në historinë e futbollit botëror.
Carvajal iu bashkua Real Madridit në vitin 2002, duke veshur këtë fanellë për plot 23 sezone: 10 me akademinë dhe 13 me skuadrën e parë.
Gjatë këtij rrugëtimi magjik, ai zhvilloi 450 ndeshje, shënoi 14 gola dhe fitoi një numër të paimagjinueshëm prej 27 titujsh, ku veçohen:
6 Liga të Kampionëve (Champions League)6 Kampionate Botërore për Klube5 Superkupa të UEFA-s4 Tituj të La Liga-s2 Kupa të Mbretit (Copa del Rey)4 Superkupa të Spanjës
Presidenti i Real Madridit, Florentino Pérez, thuri lavdata maksimale kapitenit, duke kujtuar edhe momentin historik kur Carvajal, si fëmijë, vendosi tullën e parë të qendrës stërvitore "Ciudad Real Madrid" së bashku me Alfredo Di Stéfano-n:
"Dani Carvajal është një legjendë dhe një emblemë e Real Madridit dhe akademisë sonë. Imazhi i tij pranë të shtrenjtit dhe të paharrueshmit Alfredo Di Stéfano do të mbetet përgjithmonë në zemrat e të gjithë madrilenëve. Carvajal ka përfaqësuar gjithmonë vlerat tona në mënyrë shembullore. Kjo është dhe do të jetë gjithmonë shtëpia e tij."
Në nivel individual, mbrojtësi spanjoll preku majat në vitin 2024, kur u shpall lojtari i ndeshjes në finalen e Champions League (ku edhe shënoi), si dhe u përfshi në formacionin më të mirë të vitit nga FIFA (FIFPro World XI). Me kombëtaren e Spanjës, ai numëron 51 paraqitje, duke fituar Euro 2024 dhe Nations League në vitin 2023.
Real Madridi ka konfirmuar se stadiumi "Santiago Bernabéu" do t'i rezervojë një lamtumirë dhe homazh madhështor këtë të shtunë, në ndeshjen e fundit kampionale të sezonit, për t'i thënë faleminderit një prej mbrojtësve më të mëdhenj që ka njohur ky sport.



