Minatorët ngujohen për 13 orë në minierën e Trepçës, digjet trafo-stacioni i rrymës

featured
Press Online
14 Maj 2026, 23:49

13 orë errësirë i lanë pas, e nga 745 metra thellësi nën tokë po dalin drejt dritës.

49 minatorë të enjten u ngujuan brenda minierës së Trepçës, pasi problemet me rrymën lanë jashtë funksionit liftin që i transporton.

31 vendosën të përdorin shkallët emergjente për të dalë në sipërfaqe, e 18-të dolën vetëm kur lifti u rregullua.

Jashtë minierës, minatorët i prisnin ekipet mjekësore, zyrtarët policor e kolegët e tyre.

Pasi morën ekzaminimin fillestar nga mjekët, ndonëse të lodhur thanë se nuk ka pasur rrezik.

Ne qato punë i kryjmë, jemi të vendost me punu”, ka thënë minatori Bajram Rexhepi.

“Qata dy kanë pas nevojë, s’u kanë diçka rrezik I madh, sen që ndodh prej dhimbjeve, ajri që prishet. Ka ndodh disa herë po nuk është diçka tragjike”, ka shtuar Rexhepi.

Ndryshe nga këta që dolën, ndiheshin minatorët që prisnin në radhë për ta filluar orarin.

Sipas tyre, situata ende nuk është e sigurt plotësisht për ta.

“Nashta si të startojmë ne tash, rryma na mbyt krejt. S’na ka siguru askush që është e sigurt, veç hajde puno”, ka thënë minatori, Agron Hyseni.

Në lidhje me këtë shqetësim të tyre nuk u deklarua ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Në vend të kësaj, Rizvanolli foli për hapin e radhës që pret të ndërmerret me rastin.

“E rëndësishme është që të gjithë minatorët kanë dalë dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore. Ndërsa hapi I radhës është të kuptojmë se pse ka ndodh dhe a ka mund të parandalohet, për këtë presim raportet e inspektorateve përkatëse”, ka thënë Rizvanolli.

Paraprakisht, paraditen e së enjtes, shkaku i situatës së krijuar ishte konstatuar 3km larg minierës, ku ishte shkaktuar zjarri tek trafo-stacioni i energjisë elektrike.

“Ka ndodhur një zjarr dje rreth orës 1, është djeg trafoja, kanë ardh zjarrfikësit, por për shkak të zjarrit të madh e ka dëmtu edhe një trafo tjetër që është standby”, ka thënë Shpëtim Dobra, nga bordi mbikëqyrës i Trepçës.

Gjatë ditës të pranishëm në vendngjarje ishin zyrtarë të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Themelore.

https://www.youtube.com/watch?v=IOGYLxLXkmE

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter