Dy persona ndalohen për rastin ndaj Mehanit të VV-së, Lushtaku ende nuk i përgjigjet ftesës së Prokurorisë

featured
Press Online
14 Maj 2026, 23:08

Prokuroria Themelore e Mitrovicës ka njoftuar se dy persona janë ndaluar për 48 orë lidhur me incidentin e ndodhur të enjten në Skenderaj, ku mbetën të lënduar zëvendësministri Hysni Mehani dhe sekretari i degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Skenderaj, Bahri Zabeli.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, prokurori kujdestar ka qëndruar gjatë gjithë ditës në Skenderaj bashkë me policinë, ku janë mbledhur prova dhe janë intervistuar viktimat, pesë dëshmitarë dhe dy të dyshuarit me inicialet E.L. dhe B.N.

“Po ashtu, janë intervistuar në cilësinë e viktimave H.M., dhe B.Z., pesë (5) dëshmitarë si dhe dy (2) të dyshuar me iniciale E.L., dhe B.N., të cilët me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje për dyzetë e tetë (48) orë, me dyshimin për kryerjen e veprës penale “Lëndimi i lehtë trupor””, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, Prokuroria bëri të ditur se dy persona të tjerë të dyshuar, me inicialet S.L. (kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku) dhe K.H., deri në momentin e publikimit të njoftimit nuk i ishin përgjigjur ftesës për intervistim.

“Ndërkaq, dy (2) të dyshuar tjerë për këtë rast me iniciale S.L., dhe K.H., deri në këto momente nuk i janë përgjigjur ftesës për intervistim”, thuhet më tej në njoftim.

Rasti ndodhi në një kafiteri në qendër të Skenderajt, ku Mehani ka akuzuar Lushtakun për sulm fizik. Ky i fundit ka mohuar përfshirjen direkte, duke deklaruar se qytetarët reaguan ndaj etiketimeve “Sami Serbia”.

Pas incidentit, Mehani dhe Bahri Zabeli u dërguan për trajtim në Spitalin e Përgjithshëm në Mitrovicë. Zabeli u lirua më pas për në shtëpi, ndërsa Mehani u hospitalizua në Repartin e Neurologjisë për shkak të marramendjes dhe vështirësive në ecje.

Ish-deputetja Arjeta Fejza, e cila ishte e pranishme në momentin e incidentit, deklaroi se sulmi ndodhi pa asnjë provokim paraprak.

Ajo ka mohuar se në tavolinë ka pasur diskutime apo provokime ndaj Lushtakut, duke thënë se po bisedonin për një temë krejt tjetër në momentin kur ndodhi incidenti.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter