Kryetari i komunës së Çairit, Izet Mexhiti njëherit bashkëkryetar i VLEN-it, realizoi sot gjatë ditës një takim të rëndësishëm me përfaqësuesit e organizatës MK25, ku në fokus kanë qenë zhvillimi ekonomik, investimet dhe forcimi i bashkëpunimit me diasporën shqiptare. Në takim morën pjesë Mike Zafirovski, Nikica Mojsovska-Brazhevska dhe Arben Jusufi, me të cilët u diskutua për mundësitë konkrete të mbështetjes së kompanive të menaxhuara nga diaspora për të investuar në Maqedoninë e Veriut.
Gjatë bisedës u theksua rëndësia e krijimit të kushteve më të favorshme për investitorët nga diaspora, si dhe nevoja për të inkurajuar kthimin dhe angazhimin më të madh të tyre në zhvillimin ekonomik të vendit. Po ashtu, një vëmendje e veçantë iu kushtua eliminimit të barrierave burokratike në institucione, veçanërisht në nivel lokal, me qëllim që procedurat për investitorët të jenë më efikase, më transparente dhe më të qasshme.
Në takim u diskutua edhe për forcimin e lidhjeve me diasporën shqiptare dhe krijimin e urave më të fuqishme bashkëpunimi me institucionet vendore. U vlerësua se diaspora shqiptare përfaqëson një potencial të madh ekonomik dhe shoqëror, i cili duhet të shfrytëzohet në mënyrë më të organizuar dhe më strategjike për zhvillimin e vendit.



