Fetoshi: Serbia do të tentojë sërish të minojë procesin zgjedhor në Kosovë

featured
Press Online
13 Maj 2026, 13:35

Drejtori i Institutit “Octopus”, Arben Fetoshi ka thënë se procesi zgjedhor në Kosovë mund të shfrytëzohet si një “port hyrës për qëllime destabilizuese” nga Serbia, në kuadër të operacioneve hibride kundër shtetit të Kosovës.

Në emisionin “Rreth e Rrotull” në televizionin Dukagjini, Fetoshi tha se konteksti me Serbinë e bën procesin zgjedhor një hapësirë të ndjeshme ndaj ndikimeve të jashtme.

“Konteksti me Serbinë e bën procesin zgjedhor një port hyrëse për qëllime destabilizuese të Serbisë në raport me Kosovën”, u shpreh Fetoshi.

Ai shtoi se, Serbia përdor propagandë dhe instrumente të ndryshme në kuadër të operacioneve hibride, me qëllim minimin e institucioneve të Kosovës dhe krijimin e tensioneve të brendshme.

“Agresioni propagandistik nga Serbia dhe instrumente të tjera në kuadër të operacioneve hibride kanë për qëllim të minojnë Republikën e Kosovës”, tha ai.

Fetoshi theksoi se këto veprime lidhen edhe me sinkronizimin e Serbisë me Rusinë, duke synuar krijimin e polarizimit dhe mosbesimit tek qytetarët.

“Ka një sinkronizim me Rusinë në përpjekje të vazhdueshme për të shkaktuar polarizim, mosbesim dhe presion psikologjik ndaj qytetarëve”, deklaroi ai.

Duke iu referuar zhvillimeve të mëhershme në veri të vendit, Fetoshi tha se janë përdorur edhe struktura dhe mekanizma të ndryshëm për të ndikuar situatën në terren.

“E kaluara ka treguar që përmes Listës Serbe si përfaqësuese e qëllimeve politike të Serbisë, por edhe përmes aktiviteteve të rrjeteve të ndryshme, janë orkestruar tensione sidomos në veri të vendit”, u shpreh ai.

Sipas tij, institucionet e sigurisë duhet të kenë vëmendje të shtuar në periudhën para zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit.

Ai gjithashtu komentoi edhe kërcënimet e raportuara ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti duke i cilësuar si paralajmërime për situatën e sigurisë.

“Ne e shohim edhe kërcënimin nga ‘Brigada e Veriut’ ndaj kryeministrit në detyrë si një lloj paralajmërimi për tendencën e Serbisë për të ndërmarrë aktivitete që synojnë minimin e procesit zgjedhor”, tha Fetoshi.

Ai shtoi se një nga objektivat e mundshëm është paraqitja e Kosovës si shtet diskriminues ndaj pakicës serbe dhe ruajtja e ndikimit mbi komunitetin serb.

“Synimi është që Kosova të paraqitet si vend diskriminues ndaj pakicës serbe dhe të ruhet kontrolli mbi komunitetin serb në Kosovë”, u shpreh ai.

Në fund, Fetoshi theksoi se ekziston rreziku që procesi zgjedhor të vihet në shënjestër përmes manipulimeve dhe narrativave propagandistike.

“Presim që Serbia të angazhohet në aktivitete të ndryshme që cenojnë integritetin e zgjedhjeve, sepse zgjedhjet janë hapësirë adekuate për operacione hibride”, deklaroi ai.

Ai shtoi se “në këtë kontekst, vlerësohet se institucionet e sigurisë duhet të kenë vëmendje të shtuar si ndaj luftës së narrativave kundër Kosovës, ashtu edhe ndaj aktiviteteve të drejtpërdrejta që synojnë destabilizimin e vendit”.

https://www.youtube.com/watch?v=FIgnTEir-kk

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter