KFF Vllaznia reagon pas vendimit të Disiplinës: I paprecedentë dhe i paimagjinueshëm. Reaguam ndaj një maskarade të arbitrave

featured
Press Online
09 Maj 2026, 01:23

Tek Vllaznia e futbollit të femrava nuk janë pritur aspak mirë vendimet e sotme të Komisionit të Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit i cili pezulloi me nga 5 javë plot 7 futbolliste të ekipit Vllaznia U17, vetëm e vetëm ngaqë ata kanë protestuar në fundin e ndeshjes finale tek arbitrja e takimit ngaqë ajo me vendimet e saj, ndikoi dukshëm në rezultat duke u hequr titullin kampion.

Po ashtu, është pezulluar 10 javë edhe presidenti Lazer Matija ngaqë ai nuk mund të qëndronte pasiv por i ka dalë në mbrojtje vajzave të reja teksa i ka parë duke qarë pas një padrejtësie të madhe që u është bërë.

KFF Vllaznia ka dalë me një reagim në faqen zyrtare ku shkruan:

“Komisioni i Disiplinës, në mbledhjen e zhvilluar sot, më 8 maj 2026, ka marrë një vendim të paprecedentë dhe të paimagjinueshëm për futbollin shqiptar.

Janë dënuar 7 vajza të moshës 13-17 vjeç, si dhe presidenti i ekipit të tyre, të cilët reaguan të indinjuar ndaj një maskarade nga treshja e arbitrave, të ardhur me një qëllim të vetëm: të pengonin shpalljen kampione të ekipit të KFF Vllaznia U-17.

Komisioni ka marrë për bazë vetëm raportin e arbitres dhe delegatit, duke krijuar një situatë të qëllimshme dhe tendencioze. Qëllimi ka qenë justifikimi i gabimeve të arbitres, ndërsa delegati, në sinkron të plotë me të, ka penalizuar presidentin për të dëmtuar edhe ekipin e parë të Vllaznisë, i cili ka ndeshje me Gramshin ditën e nesërme. Çuditërisht, delegati rezulton të jetë nga Gramshi.

KFF Vllaznia është një model jo vetëm në futbollin shqiptar, por edhe në atë europian, duke e çuar futbollin shqiptar në nivele të paarritura më parë, deri në fazën e grupeve të UEFA Women’s Champions League.

KFF Vllaznia është thellësisht i indinjuar nga këto veprime të padrejta ndaj një klubi që prej vitesh mban mbi supe emrin dhe krenarinë e futbollit shqiptar. Sukseset e Vllaznisë duket se për disa përbëjnë dështim dhe kjo ka turbulluar ujërat për ata që nuk arrijnë të pranojnë realitetin.

Falë rezultateve të arritura nga KFF Vllaznia, Shqipëria, ndryshe nga shumë vende të Ballkanit dhe Europës Qendrore, ka siguruar këtë vit pjesëmarrjen e dy ekipeve në UEFA Women’s Champions League. Por suksesi i Vllaznisë duket se ka nxitur tentativa të vazhdueshme për të vepruar padrejtësisht ndaj klubit tonë.

Ka vite që ekipi ynë sulmohet në çdo formë për t’iu rrëmbyer titulli kampion, sepse KFF Vllaznia është skuadra që është shpallur 12 vite kampione radhazi, ndërsa KFF Vllaznia U-17 është shpallur kampione për 5 vite me radhë.

Ia arritën që ekipit KFF Vllaznia U-17 t’ia vidhnin titullin. Të njëjtën gjë do të tentojnë ta bëjnë edhe me ekipin e parë. Por ne i deklarojmë opinionit publik se do të vazhdojmë rrugën tonë, me krenari dhe vendosmëri, për të arritur dhe fituar për herë të 13-të titullin kampion, edhe pse jemi të vetëdijshëm se kundërshtarët dhe hienat i kemi përreth.

THIRRJE

Kërkojmë mbështetjen e të gjithë tifozëve të Vllaznisë dhe i bëjmë thirrje çdo sportdashësi shkodran të qëndrojë pranë KFF Vllaznia, sepse vetëm bashkë do t’ia dalim.

Nesër, më 9 maj 2026, në ndeshjen ndaj Gramshit, në fushën “Reshit Rusi”, ftojmë të gjithë tifozët të jenë pranë skuadrës dhe të mbështesin vajzat tona në këtë moment të vështirë, por edhe vendimtar.

Bashkë për Vllazninë!

Kjo është videoja ku vajzat e KFF Vllaznia protestojnë ndaj padrejtësive të ndodhura në fushë, protestë për të cilën më pas u dënua ekipi i KFF Vllaznia.

https://www.youtube.com/watch?v=t_ebE18xHT0

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter