Shkruar nga Endri ÇINARI
Para sfidës së katërt sezonale mes Vllaznisë dhe Tiranës në Superligën 2025-26, shifrat flasin qartë në favor të shkodranëve, të cilët kanë qenë skuadra dominuese në tre përballjet e para. “Klasikja” e futbollit shqiptar këtë sezon ka marrë një kahje të dukshme kuqeblu, me Vllazninë që jo vetëm ka marrë rezultate pozitive, por ka treguar edhe forcë karakteri duke përmbysur situata të vështira.
Në fazën e parë, Vllaznia triumfoi me rezultatin 3-1 në një përballje spektakolare. Tirana kaloi e para në avantazh me Tabekou, por reagimi i shkodranëve ishte i menjëhershëm dhe vendimtar. Jago, Balaj dhe Kastrati përmbysën gjithçka, duke i dhënë ekipit të tyre një fitore bindëse dhe një sinjal të fortë për rivalët.
Edhe në fazën e dytë, Vllaznia tregoi stabilitet, edhe pse këtë herë sfida u mbyll në barazim 1-1. Rafa realizoi për bardheblutë, ndërsa Balaj barazoi për kuqeblutë, duke konfirmuar formën e tij të shkëlqyer. Megjithatë, kjo ndeshje mund të kishte pasur tjetër rrjedhë, pasi Vllaznia humbi një penallti me kapitenin e saj, duke lënë dy pikë në fushë.
Në fazën e tretë, historia u përsërit sërish me një tjetër përmbysje spektakolare nga Vllaznia, që fitoi 3-1. Tirana kaloi në avantazh me Xhixhën, por më pas gjithçka foli për vendasit. Bismark riktheu barazpeshën, një autogol i Kortez përmbysi rezultatin, ndërsa Balaj vulosi fitoren, duke qenë sërish protagonist absolut në këtë rivalitet.
Dominimi i Vllaznisë nuk është i kufizuar vetëm në këtë sezon. Në vitet e fundit, skuadra shkodrane ka pasur epërsi të dukshme ndaj Tiranës në përballjet direkte. Fitorja e fundit e bardhebluve daton më 7 tetor 2023, kur Tirana fitoi minimalisht 0-1 falë një goli të Hasanit, në një ndeshje të zhvilluar në Kukës.
Që nga ajo përballje, dy ekipet janë ndeshur 10 herë mes tyre, me Vllazninë që ka triumfuar në 6 raste, ndërsa 4 takime janë mbyllur në barazim. Këto statistika konfirmojnë një epokë të favorshme për shkodranët në këtë “klasike”, ndërsa mbetet për t’u parë nëse Tirana do të arrijë të thyejë këtë ecuri negative në përballjen e radhës apo nëse Vllaznia do të vazhdojë dominimin e saj.



