Shqipëria po shfaq progres të qëndrueshëm në përdorimin e internetit, por po përballet me sfida të konsiderueshme në rritjen e kompetencave teknologjike të popullatës, sipas të dhënave më të fundit të raportit mbi treguesit e aftësive dixhitale nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC).
Gjatë vitit 2025, numri i individëve që përdorin rregullisht internetin në vendin tonë arriti në 86.1% të popullsisë, duke u afruar ndjeshëm me mesataren e Ballkanit Perëndimor prej 88%, ndonëse mbetet ende pas mesatares së Bashkimit Europian që arrin në 92%.
Ky trend pozitiv reflektohet edhe në sektorin privat, ku numri i ndërmarrjeve që ofrojnë trajnime në teknologjinë e informacionit dhe komunikimit (TIK) ka arritur në 21.8%, shifër që thuajse përkon plotësisht me standardet evropiane.
Megjithatë, pavarësisht aksesit më të lartë në rrjet, niveli i aftësive digjitale mbetet shqetësues pasi nuk ka pësuar rritje përgjatë vitit të fundit. Sipas studimit rajonal, vetëm 23.3% e shqiptarëve zotërojnë të paktën aftësi digjitale bazë, një shifër kjo dukshëm më e ulët se mesatarja e BE-së prej 56%.
Hendeku thellohet akoma më shumë në kategorinë e aftësive mbi nivelin bazë dhe te numri i specialistëve të TIK-ut, ku ky i fundit ka pësuar rënie të lehtë në 1.0%. Këto të dhëna nxjerrin në pah nevojën urgjente për investime në edukimin teknologjik.
Ndërsa infrastruktura dhe përdorimi po zgjerohen, aftësitë për të shfrytëzuar potencialin e plotë të epokës digjitale mbeten në nivele mjaft modeste krahasuar me partnerët rajonalë dhe evropianë.
Punonjësit e TIK-ut zënë vetëm 1% të totalit të të punësuarve, teksa në BE është 5% dhe në Rajonin e Ballkanit 3%.
RCC vëren se numri i pakët i punonjësve të TIK-ut në vendin tonë, nuk reflekton domosdoshmërisht mungesë interesi për profesionet teknologjike, por rrjedhjen e trurit (brain- drain), ku profesionistët më të mirë të fushës zgjedhin të punojnë për kompani të huaja jashtë vendit ose përmes platformave freelance që nuk regjistrohen në statistikat kombëtare të punësimit.
Gjithashtu, sistemi arsimor dhe kurrikulat e formimit profesional në vendin tonë nuk po ecin me të njëjtin ritëm si inovacionet globale, duke krijuar mungesë të profileve specifike që kërkon tregu i sotëm. Teksa ndërmarrjet shqiptare përpiqen të digjitalizohen, mungesa kritike e ekspertëve e bën të vështirë këtë proces./Monitor



