Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.
Nëse mendon që dramat më të mëdha ndodhin në Big Brother… prit sa të dëgjosh çfarë po ndodh në Silicon Valley.
Sepse këtë javë kemi një “telenovelë” me buxhet 150 miliardë dollarë. Po, s’e dëgjove gabim. Elon Musk kundër Sam Altman – dhe jo për një tweet apo një meme… por për OpenAI, kompania që krijoi ChatGPT.
Historia fillon si çdo ide e bukur: në 2015, OpenAI u krijua si organizatë non-profit, me qëllim të bënte AI “për të mirën e njerëzimit”. Tingëllon si një premtim që e bën në Janar për palestrën. Problemi? Në 2019, kompania ndryshoi drejtim dhe u bë biznes që gjeneron para. Dhe këtu hyn Musk, duke thënë: “prit pak… kjo s’ishte marrëveshja”.
Ai pretendon që është “vjedhur një bamirësi”, ndërsa pala tjetër thotë: “jo jo, thjesht po rritemi… edhe pak kapitalizëm s’ka vrarë njeri”. Në mes të kësaj drame, hyn edhe Microsoft me 10 miliardë dollarë investim, si ai shoku që futet në debat pa e ditur fare çfarë ka ndodhur, por ka më shumë lekë se të gjithë.
Gjyqi pritet të zgjasë me javë, dhe tensioni është real. Musk kërkon 150 miliardë dollarë dëmshpërblim dhe rikthimin e OpenAI në non-profit. Ndërkohë, Altman dhe ekipi i tij thonë që Musk thjesht do kontroll.
Pra në fund, kemi një pyetje shumë të thjeshtë:
A është kjo një betejë për moralin e teknologjisë… apo thjesht një grindje mes miliarderësh që s’po bien dakord kush do të jetë boss-i i robotëve?
Një gjë është e sigurt: kur edhe inteligjenca artificiale ka drama… imagjino ne.
https://www.youtube.com/watch?v=7F7IDy39a28



