Kryeministri britanik Keir Starmer deklaroi sot se nuk përjashtohet mundësia e ndalimit të disa protestave, veçanërisht kur në to përdoren slogane që nxisin dhunë, pas një sulmi antisemit të ndodhur të mërkurën në Londër.
Duke folur për BBC, Starmer theksoi se situata ka kaluar në “një nivel krejt tjetër” pas sulmit me thikë, të cilin policia britanike e cilësoi si akt terrorist. Nga ngjarja mbetën të plagosur dy persona hebrenj në zonën Golders Green të Londrës.
Një ditë më pas, kryeministri u përball me reagime të ashpra nga banorët gjatë një vizite në shërbimet e urgjencës në këtë zonë. Disa prej tyre e akuzuan qeverinë se nuk po bën mjaftueshëm për të mbrojtur komunitetin hebre dhe kritikuan protestat në mbështetje të palestinezëve.
Qeveria britanike njoftoi të mërkurën një paketë masash për rritjen e sigurisë, përfshirë një fond shtesë prej 25 milionë paundësh dhe shtimin e patrullimeve policore.
Në një deklaratë publike të enjten, Starmer u zotua se do të bëjë “çdo gjë të mundur për të zhdukur këtë urrejtje”, duke përmendur edhe forcimin e kompetencave për pezullimin e organizatave bamirëse që promovojnë ekstremizëm, si dhe masa më të ashpra ndaj “predikuesve të urrejtjes”.
Ai shtoi se shumë anëtarë të komunitetit hebre janë ankuar për natyrën e përsëritur të protestave pro-palestineze. Në këtë kontekst, ai mbështeti vendosjen e rregullave më të rrepta për sloganet dhe nuk përjashtoi ndalimin e disa tubimeve.
“Jam një mbështetës i fortë i lirisë së shprehjes dhe protestave paqësore. Por kur dëgjohen thirrje si ‘Globalizimi i Intifadës’, kjo është krejtësisht e papranueshme dhe kërkon veprim më të fortë”, deklaroi ai.
Sipas tij, diskutimet me policinë për këtë çështje kanë nisur prej kohësh. Që në dhjetor, policia në Londër dhe Mançester kishte paralajmëruar se do të arrestonte këdo që përdor këtë slogan, i cili lidhet me kryengritjet palestineze kundër Izraelit në vitet 1987-1993 dhe në fillim të viteve 2000.
Ndërkohë, autoritetet britanike rritën nivelin e kërcënimit terrorist në “serioz”, niveli më i lartë i alarmit, duke paralajmëruar se një sulm është shumë i mundshëm brenda gjashtë muajve të ardhshëm. Qeveria theksoi rritjen e kërcënimeve si nga ekstremizmi islamist, ashtu edhe nga ai i djathtë.
Sulmi i fundit vjen në një klimë tensioni në rritje, pas një serie zjarrvëniesh dhe tentativash për zjarrvënie që kanë shënjestruar sinagoga në veri-perëndim të Londrës që nga fundi i marsit. Edhe pse nuk pati viktima nga këto incidente, ato kanë shtuar ndjeshëm shqetësimin e komunitetit hebre, sidomos pas një sulmi fatal ndaj një sinagoge në Mançester në tetor, ku humbën jetën dy persona.



