Romelu Lukaku është gati për një kapitull të ri dhe nuk e fsheh dëshirën për t’u rikthyer në Milano. Pas përplasjes me Antonio Konte dhe Napoli, sulmuesi belg pritet të largohet nga klubi, duke dërguar sinjale edhe drejt Milanit: A ka vend për të në “San Siro”? Lukaku ka pasur gjithmonë një lidhje të fortë me qytetin e Milanos, ku ka shkëlqyer me Interin.
Në të kaluarën ai është afruar disa herë me Milanin, si nga vetë dëshira e tij, ashtu edhe nga interesimi i klubit kuqezi, që prej vitesh kërkon një “numër 9” fizik dhe dominues. Nga ana tjetër, trajneri Masimiliano Alegri preferon pikërisht profile të tilla sulmuesish. Ai ka kërkuar vazhdimisht një qendërsulmues të fortë dhe lista e emrave të ndjekur është e gjatë: nga Vlahoviç e Levandovski, te Sorloth, Gonçalo Ramos, Xhekson, Retegui dhe Kin. Aktualisht, emri i Lukakut nuk është prioritet, por nuk përjashtohet plotësisht.
LEXO EDHE: Drejtori sportiv i Milanit, Igli Tare: Për të qenë i denjë për Milanin duhet të fitosh, Leao nuk e kupton potencialin e tij
Nëse Milani vendos të marrë dy sulmues, atëherë “Big Rom” mund të rikthehet në lojë, sidomos duke parë eksperiencën dhe impaktin që mund të japë. Megjithatë, ka disa pengesa: mosha (32 vjeç), problemet fizike të sezonit të fundit dhe karakteri i vështirë për t’u menaxhuar. Një sinjal i qartë i krisjes me Napolin erdhi edhe nga një postim i fundit i tij në rrjetet sociale, ku la të kuptohej pakënaqësia:
“Nuk po injoroj asgjë, thjesht nuk po argëtohem”. Largimi nga Napoli duket i sigurt, ndërsa e ardhmja mbetet e hapur: Turqia, Arabia Saudite apo SHBA janë destinacionet më të mundshme. Por, si shpesh në karrierën e tij, Milano mund të rikthehet sërish në horizont për Lukakun.
LEXO EDHE: Izraeli dhe Palestina bashkë në kongresin e FIFA-s, shpërthen tensioni, refuzohet shtrëngimi i duarve



