Justin Trudeau dhe Katy Perry janë kthyer në një nga çiftet më të përfolura të momentit, pasi raportime të fundit sugjerojnë se lidhja e tyre po bëhet gjithnjë e më serioze dhe madje mund të përfundojë me martesë në Paris.
Dyshja, për të cilët thuhet se janë bashkë që prej vitit të kaluar, u panë së fundmi në festivalin Coachella, ku u shfaqën shumë pranë njëri-tjetrit dhe mjaft të relaksuar teksa shijonin atmosferën festive.
Fotografitë që qarkulluan në rrjet i treguan ata duke kaluar kohë së bashku, duke dëgjuar muzikë dhe duke shijuar ushqimin gjatë eventit.
Sipas burimeve pranë tyre, marrëdhënia ka avancuar shpejt dhe të dy nuk e kanë problem të shfaqen publikisht së bashku.
Pas ndarjeve nga lidhjet e mëparshme që morën vëmendje të madhe mediatike, romanca e re mes tyre ka ngjallur interes të jashtëzakonshëm te publiku.
Madje, sipas raportimeve, bisedat për martesë kanë nisur tashmë dhe Parisi po përmendet si vendi i preferuar për ceremoninë. Thuhet se ky destinacion përputhet me stilin e tyre dhe dëshirën për një event madhështor e të paharrueshëm.
Nga ana tjetër, lidhja e tyre është përballur edhe me disa polemika në internet, ku janë rikthyer akuza të vjetra që lidhen me këngëtaren. Megjithatë, ekipi i autores së hitit “Dark Horse” i ka hedhur poshtë këto pretendime.
Pavarësisht zhurmës mediatike, burime të afërta tregojnë se Katy Perry dhe Justin Trudeau janë të fokusuar te marrëdhënia e tyre dhe po kalojnë gjithnjë e më shumë kohë së bashku, ndërsa diskutimet për të ardhmen po bëhen më serioze.



