‘Nuk u detyrova të jap dorëheqjen, absolutisht jo, por ishte e drejtë. Por nuk mendoj se kam dështuar’- Kështu u shpreh Gabriele Gravina, presidenti ende në detyrë i FIGC në një intervistë për median italiane në lidhje me dorëheqjen e tij menjëherë pas dështimit të Italisë në playoffin e Botërorit 2026
‘Ishte një zgjedhje personale. Iu kisha bërë një premtim tifozëve italianë se do të shkonim në Botëror dhe për fat të keq nuk e mbajta këtë premtim ishte e drejtë që të jepja dorëheqjen. Nuk para kam presione, arsyetoj me mendjen dhe kthjelltësinë time. Ishte një akt përgjegjshmërie kundrejt Federatës, kishte histeri institucionale të çdo lloji, ishte më mirë që të mos e ekspozoja tepër FIGC. Por nuk mendoj se dështova. Nëse flasim për episode të vogla, po, dështova, por nëse duam të flasim për aktivitetin në të gjitha format dhe në projektet e realizuara, Federata jonë është ndër më të vlerësuarat në Evropë’.
Gravina foli edhe në lidhje me mundësinë e vënies së FIGC nën administrim.
‘Italianët i atribuojnë federatës përgjegjësi që nuk i ka, ka konfuzion me rolet. Tre herë nuk kemi shkuar në Botëror dhe skema është e njëjtë, të gjendet mish për kurban. Të gjithë janë të bindur se futbollistët e kombëtares varen nga FIGC, por ekzistojnë kampionatet, ligat dhe rregullat. Për fat të keq, ekzistojnë ligje dhe statute, rregulla që duhen respektuar. Nuk mund të aktivizosh një mekanizëm reforme nëse jo të gjithë bien dakord. Jam kundër në mënyrë absolute vënies nën administrim të Federatës. Është kundër autonomisë së sportit, statuteve, UEFA dhe FIFA. Kam dëgjuar të flitet për një administrim për modifikime që mund të bëhen në mënyrë autonome. Raporti mes politikës dhe sportit është më i ngushtë nga sa mund të imagjinohet. Sporti është ekonomi, identitet, kulturë. E kuptoj që politikanët kanë interes t’i drejtohen një fushe kaq të gjerë, por autonomia është e nevojshme’.
Gravina foli edhe për kandidatët që janë në garë për postin e tij dhe për përfshirjen në politikë.
‘Malagò dhe Abete janë dy drejtues të shkëlqyer, por kam marrë përsipër impenjimin për të mos mbështetur askënd-vijoi Gravina-përsa i përket politikës, shumë janë përpjekur të më përfshijnë. Nuk e mohoj orientimin tim politk, jam i qendrës me tendencë nga e majta. Bëj politikë, por nuk kandidoj’
Presidenti i FIGC përmendi edhe Gennaro Gattuson tashmë të larguar nga stoli i kombëtares italiane
‘Për mua Gattuso ishte njeriu i duhur, ishte më i miri. Në atë moment kishim nevojë për dikë që të bënte të rizbulonte te djemtë lidhjen me fanelën, por për fat të keq mungoi rezultati sportiv.”



