Von der Leyen: Kremlini po u imponon qytetarëve një “perde të hekurt digjitale”

featured
Press Online
29 Prill 2026, 18:56

Presidentja e Komisioni Evropian, Ursula von der Leyen, akuzoi Kremlinin se po vendos një “perde të hekurt digjitale” ndaj qytetarëve rusë, me qëllim fshehjen e vështirësive ekonomike të shkaktuara nga sanksionet evropiane për shkak të luftës në Ukraina.

Gjatë një fjalimi në Parlamentin Evropian në Strasburg, von der Leyen theksoi se sanksionet kanë ndikim të rëndë mbi ekonominë ruse. “Po, sanksionet kanë një efekt shkatërrues në ekonominë ruse,” u shpreh ajo.

Sipas saj, vendet anëtare të Bashkimit Evropian po përgatisin një paketë të re masash kundër Moskës, e 20-ta që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Ajo nënvizoi se pasojat e luftës po përballohen drejtpërdrejt nga qytetarët, përmes rritjes së inflacionit dhe normave të interesit.

Von der Leyen deklaroi se, përballë kësaj situate, Kremlini po kufizon aksesin në internet dhe lirinë e komunikimit. “Deri në pikën që rusët ndihen sikur jetojnë sërish pas një perdeje të hekurt, një perdeje të hekurt digjitale,” tha ajo.

Megjithatë, ajo shtoi se historia ka treguar se barriera të tilla nuk zgjasin përgjithmonë. “Nëse historia na ka mësuar diçka, është se të gjitha muret bien në fund,” përfundoi presidentja e Komisionit Evropian.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter