“Nuk heqim dorë nga protestat”, Berisha akuzon policinë për dhunë ndaj protestuesve

featured
Press Online
19 Prill 2026, 08:19

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha zgjodhi komunikimin me qytetarët në rrjetet sociale për të lajmëruar se opozita nuk do të heqë dorë nga protestat. Një ditë pas tubimit të 7 të opozitës, Berisha deklaroi se çdo skenar për betejën e opozitës është i hapur, përfshirë edhe vendosjen e çadrave në boulevard para godinës së Kryeministrisë.

“Çdo variant do të studiohet. Por ne nga protesta nuk heqim dorë. Ne do bëjmë çdo përpjekje për t’u bashkuar me forcat opozitare”, tha Berisha.

Berisha komentoi edhe arrestimin e 11 protestuesve nga forcat e policisë mbrëmjen e së premtes, duke i cilësuar veprimet e policisë si të paligjshme.

“Ne ndjekim të gjithë guximtarët tanë të arrestuar nga policia pa asnjë fakt, dhe krejtësisht për qëllime politike”, tha Berisha.

Nga ana tjetër, kryetari i PD akuzoi policinë për përdorimin e dhunës ndaj protestuesve.

“Kjo është policia e parë në botë që përdor sprajin e ariut kundër qytetarëve dhe protestuesve. Në mënyrë selektive janë shënjestruar drejtuesit kryesorë të PD: Flamur Noka, Luciano Boci, Klevis Balliu, Ivi Kaso, Aulon Kalaja”, tha Berisha.

Kryetari i PD Sali Berisha deklaroi se së shpejti opozita do të dalë sërish në protestë kundër kryeministrit Edi Rama, por pa caktuar një datë për tubimin.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter