Një zbulim tronditës ka dalë në dritë në Mexico City, ku më shumë se 1,000 fragmente kockash njerëzore janë gjetur pranë Liqeni Tsalko, sipas një grupi vullnetarësh dhe familjarësh të personave të zhdukur.
Zbulimi është cilësuar si një “realitet katastrofik” nga familjet që kërkojnë të afërmit e tyre, të cilat flasin për një krizë mjeko-ligjore me përmasa të pallogaritshme. Ata akuzojnë autoritetet se po përpiqen ta minimizojnë çështjen, ndërsa kërkojnë vëmendje ndërkombëtare për situatën.
Autoritetet lokale kanë nisur zhvarrosjen e zonës javën e kaluar, me prokurorinë që konfirmon gjetjen e rreth 300 fragmenteve kockore. Megjithatë, grupet e vullnetarëve këmbëngulin se numri real i mbetjeve tejkalon 1,000, duke theksuar se disa prej tyre janë gjetur edhe në zona të kontrolluara më parë nga institucionet shtetërore.
Ky zhvillim i shtohet një krize të thellë që ka përfshirë Meksikën për më shumë se një dekadë. Që nga viti 2006, kur qeveria ndërmori ofensivë ushtarake kundër karteleve të drogës, mbi 480,000 persona kanë humbur jetën dhe rreth 130,000 të tjerë rezultojnë të zhdukur.
Një panel ekspertësh i Kombeve të Bashkuara e ka cilësuar krizën e zhdukjeve si një “krim kundër njerëzimit”, duke akuzuar autoritetet për mosveprim dhe mangësi serioze në hetime. Kreu i panelit, Juan Alban-Alencastro, theksoi se shqetësimi kryesor mbetet “shkalla e fenomenit, modeli i sulmeve dhe synimi i civilëve”.



