Kapiteni i Liverpool, Virgil Van Dijk nuk fshihet aspak pas humbjes së rëndë 4-0, që skuadra e The Reds pësoi në çerekfinale të FA Cup. Holandezi një ditë pas kësaj sfide iu kërkoi ndjesë tifozëve të kampionëve të Anglisë dhe për paraqitjen tjetër zhgënjyese në fushën e lojës.
Dorëzimi pa kushte i The Reds bëri që 8 mijë tifozë që kishin udhëtuar drejt Etihad Stadium të braktisnin shkallët e impiantit përpara kohe, por Van Dijk nuk iu drejtua vetëm atyre.
‘Ajo që mund t’ju them është se ju kërkoj ndjesë për atë çfarë shfaqëm në fushë sidomos në pjesën e dytë-tha Van Dijk-i zhgënjyem tifozët tanë, zhgënjyem veten tonë dhe trajnerin. Mënyra sesi luajtëm në pjesën e dytë sidomos, i ka mërzitur të gjithë, me siguri më mërziti edhe mua’.
Rezultati negativ në sfidën e FA Cup ka rritur gjithnjë e më shumë presionin mbi trajnerin Arne Slot, teksa javën e ardhshme e pret ndeshja çerekfinale e Ligës së Kampioneve me Paris Saint Germain në Francë. I eliminuar nga kupat e Anglisë, Liverpool do të duhet të fokusohet pikërisht te ky edicion i Ligës së Kampioneve dhe kualifikimi në këtë kompeticion për sezonin e ardhshëm.
LEXO EDHE: Paolo Maldini kandidat për postin e presidentit të Federatës Italiane të Futbollit!
‘Ai si trajner ka përgjegjësitë e rij, por jemi ne në fushë që duhet ta bëjmë këtë-shtoi Van Dijk-fakt është që tani na pret Paris Saint Germain dhe do të duhet të jemi gati psikologjikisht sa më shpejt të jetë e mundur. Kam pasur fatin të luaj për Liverpool për kaq shumë vite. Gjëja kryesore që kemi pasur ka qenë koezioni. Tani sigurisht jemi në një fazë tranzicioni, por duhet ta rigjejmë’.



