Deputeti Pirro Vengu deklaroi në studion e QUO VADIS në Vizion Plus se Shqipëria nuk është më e rrezikuar se vendet e tjera të NATO-s nga konflikti në Lindjen e Mesme.
Ai theksoi se vendi mbështet qëndrimet e SHBA-së dhe Izraelit dhe vijon të jetë në harmoni me politikën e jashtme.
Vengu shtoi se aty ku ka shqetësim, ka të bëjmë me pasojat që ky konflikt ka krijuar në zinxhirin ndërkombëtar të mallrave, naftës e gazit.
Pjesë nga biseda:
Vengu: Debatet e brendshme janë krejt normale. Po aq normale dhe e zakonshme që çdo kush në politikë të jetë i gatshëm për të garuar. Është shumë herë që të flasim për personaliste. Ajo që ne kemi është fryma në grup, dalja në terren, banesë për banesë, të gjithë atë mbështetje që kemi pasur dhe duam ta ruajmë. Nuk kemi luksin e individualitetit; ka të bëjmë me frymën e skuadrës. Lufta në Lindjen e Mesme nuk është një luftë e nisur nga vendet e NATO-s. Është përballje me një vend armiqësor ndaj vendit tonë. Ne kemi mbështetur qasjen e SHBA dhe Izraelit. Jemi shumë koherent me qëndrimet që kemi pasur. Jemi komplet në koherencë me politikën tonë të jashtme. Nuk e konsideroj Shqipërinë më të rrezikuar se vendet e tjera të NATO-s. Nuk ndjej elemente rrezikshmërie. Aty ku ka shqetësim, ka të bëjmë me pasojat që ky konflikt ka krijuar në zinxhirin ndërkombëtar të mallrave, naftës e gazit. Si gjithë Europa që ka ndjerë pasojat e këtij konflikti, Shqipëria nuk bën përjashtim. Detyra jonë është të ndërtojmë mekanizma mbrojtës, dhe qeveria këtë e ka bërë.
Borakaj: Ne kemi naftën më të shtrenjtë në rajon.
Vengu: Sikundër, Shqipëria ka disa avantazhe të tjera. Nafta ka impakt në energji, industri, bujqësi. Duhet të kemi parasysh dhe avantazhet që ka Shqipëria, jemi një vend ku energjia elektrike është shumë e lirë.



