Aktorja Rosanna Arquette ka reaguar ndaj deklaratave të fundit të producentit të dënuar Harvey Weinstein, i cili nga burgu pretendoi se ajo dhe disa gra të tjera kishin ekzagjeruar akuzat për abuzim seksual.
Në një intervistë për The Hollywood Reporter, Weinstein tha se akuzat ndaj tij ishin të fryra dhe përmendi disa aktore të njohura, duke përfshirë Gwyneth Paltrow dhe Angelina Jolie, duke pretenduar se ato e kishin “shkatërruar”.
Mund të jem një njeri i ashpër, por nuk jam i çmendur. Rosanna Arquette, Gwyneth Paltrow dhe Angelina Jolie i shkatërruan të gjitha. Ato donin të ishin pjesë e atij klubi grash dhe më shkatërruan
-u shpreh ai.
Pas këtyre deklaratave, Arquette reagoi publikisht përmes një postimi në Instagram, ku i mohoi kategorikisht pretendimet e tij.
Kur bëhet fjalë për ngjarjet që çuan në dënimet e shumta të Harvey Weinstein, faktet janë të qarta: sulme kanë ndodhur dhe përdhunime kanë ndodhur. Nuk e kam ekzagjeruar kurrë. Historia ime për atë që ndodhi nuk ka ndryshuar asnjëherë
-shkroi ajo.
Aktorja theksoi gjithashtu se nuk ekziston asnjë “klub” i viktimave, siç pretendon Weinstein.
Nuk ka asnjë klub ku të përkasësh si viktimë e Harvey Weinstein. Të jesh viktimë e një sulmi apo përdhunimi nuk është një klub
-shtoi ajo.
Arquette kujtoi se akuzat ndaj producentit u konfirmuan nga gazetarë investigativë dhe se hetimet u kryen nga policia në Manhattan dhe Los Angeles, përpara se provat të paraqiteshin në gjykatë.
Harvey Weinstein pati një gjykim të drejtë dhe u përfaqësua nga avokatët më të mirë që mund të përballonte. Ai u gjykua dhe u dënua për këto krime
-deklaroi ajo.
Vendimi i tij në Nju Jork u rrëzua më vonë për arsye procedurale, por në një rigjykim vitin e kaluar ai u shpall sërish fajtor për një akuzë për sulm seksual.
Ndërkohë, vendimi i vitit 2022 në Kaliforni, ku u dënua me 16 vite burg për përdhunimin e një aktoreje, mbetet ende në fuqi.
Weinstein ka pretenduar gjithashtu se gratë që e akuzuan e bënë këtë për përfitime financiare, por Arquette e hodhi poshtë këtë ide.
Nuk kam përfituar kurrë nga kjo. Nuk e di pse Harvey Weinstein vendosi të më akuzojë për ekzagjerim për një përfitim personal që ai e imagjinon. Kur manipulimi i fakteve për përdhunimin dhe sulmin seksual vjen nga abuzues të papenduar, viktimat viktimizohen për herë të dytë
-u shpreh ajo.
Megjithatë, aktorja pranoi se Weinstein kishte qenë një figurë shumë e fuqishme në industrinë e filmit.
Unë besoj në falje dhe e kam falur prej kohësh, sepse nuk doja të mbaja hidhërim. Nuk doja që jeta ime të përcaktohej nga ajo që ndodhi. Por akuzat e rreme ndaj meje dhe përpjekjet për të shtrembëruar faktet kërkonin një përgjigje



