Zbulohet aktori më i paguar i Hollywood-it për 2025! Ka lënë pas Tom Cruise dhe Brad Pitt?

featured
Press Online
14 Mars 2026, 16:02

Aktori dhe komediani amerikan Adam Sandler është shpallur aktori më i paguar në Hollywood për vitin 2025, sipas renditjes së publikuar nga Forbes.

Sipas raportit, Sandler fitoi rreth 48 milionë dollarë gjatë vitit të kaluar, falë projekteve të reja filmike dhe bashkëpunimeve me studio të mëdha, përfshirë edhe filmat e realizuar për platformën Netflix.

Në total, 20 aktorët më të paguar në listë kanë grumbulluar rreth 590 milionë dollarë të ardhura gjatë vitit.

Në vitin 2025, Sandler prodhoi dhe luajti në filmin “Happy Gilmore 2”, vazhdimi i komedisë së famshme sportive Happy Gilmore nga viti 1996. Ai u shfaq gjithashtu në filmin “Jay Kelly” përkrah George Clooney. Roli i tij si menaxheri Ron Sukenick i siguroi edhe një nominim për aktorin më të mirë dytësor në Golden Globe Awards.

Megjithatë, edhe pse kryeson listën për vitin 2025, Sandler fitoi dukshëm më pak se lideri i vitit të kaluar. Në vitin 2024, aktori Dwayne Johnson ishte më i paguari me rreth 88 milionë dollarë të ardhura.

Në vendin e dytë këtë vit renditet Tom Cruise me rreth 46 milionë dollarë, kryesisht falë filmit “Mission: Impossible – The Final Reckoning”, episodi i tetë i serisë së njohur aksion.

Vendin e tretë e zuri Mark Wahlberg me rreth 44 milionë dollarë, ndërsa në vendin e katërt u rendit Scarlett Johansson me 43 milionë dollarë. Pesëshen e parë e plotëson Brad Pitt me rreth 41 milionë dollarë.

Wahlberg fitoi pjesën më të madhe të të ardhurave nga projektet “The Family Plan” në Apple TV+, si dhe nga filmat “Play Dirty” në Prime Video dhe “Flight Risk” me regji nga Mel Gibson.

Ndërkohë, Johansson u shfaq në filmat “Jurassic World: Rebirth dhe The Phoenician Scheme” të regjisorit Wes Anderson. Ajo gjithashtu bëri debutimin e saj si regjisore me filmin “Eleanor the Great”.

Sa i përket Brad Pitt, ai luajti rolin kryesor në filmin F1, një produksion i Apple, i cili mori nominim për filmin më të mirë në Academy Awards 2026.

Në mesin e dhjetë aktorëve më të paguar përfshihen edhe Denzel Washington me rreth 38 milionë dollarë, Jack Black dhe Jason Momoa me nga 28 milionë dollarë secili, si dhe Daniel Craig me 27 milionë dollarë.

Në listë bën pjesë edhe Millie Bobby Brown, e cila me 26 milionë dollarë është bërë personi më i ri që shfaqet ndonjëherë në këtë renditje të Forbes.

Aktorja 22-vjeçare, e njohur nga seriali “Stranger Things”, u shfaq gjithashtu në filmin “The Electric State” përkrah Chris Pratt.

Sipas Forbes, vlerësimet për fitimet bazohen në të dhëna nga platformat Box Office Mojo dhe IMDb, si dhe në intervista me profesionistë të industrisë së filmit. Shumat e publikuara përfaqësojnë fitimet pasi janë zbritur tarifat për agjentët, menaxherët dhe avokatët.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter