Këngëtari britanik Ed Sheeran ka folur hapur për një nga periudhat më të vështira të jetës së tij, kur mësoi se gruaja e tij Cherry Seaborn ishte diagnostikuar me tumor.
Në një episod të podkastit Friends Keep Secrets, me Benny Blanco, Lil Dicky dhe Kristin Batalluco, Sheeran u pyet të përmendte ditën më të bukur dhe më të vështirë të jetës së tij.
Sipas tij, momenti më i lumtur ishte dita e martesës me Cherry Seaborn. Ndërsa më i vështiri erdhi në shkurt të vitit 2022, kur ajo e telefonoi për t’i treguar se kishte zbuluar një tumor.
Seaborn u diagnostikua ndërsa ishte shtatzënë me vajzën e tyre Jupiter, çka e bëri situatën edhe më të vështirë për çiftin. Fatmirësisht, pas një ndërhyrjeje kirurgjikale, ajo arriti të shërohej.
Ajo është mirë tani. Iu nënshtrua një operacioni dhe në atë kohë ishte shtatzënë, kështu që ishte shumë e vështirë. Për fat të mirë, tani është plotësisht mirë. Ishte e tmerrshme
-tregoi këngëtari.
Gjatë së njëjtës periudhë të vështirë, Sheeran u përball edhe me humbjen e mikut të tij të ngushtë Jamal Edwards, i cili kishte luajtur një rol të rëndësishëm në fillimet e karrierës së tij.
Përveç kësaj, artisti ishte i përfshirë edhe në një betejë ligjore për të drejtat e autorit lidhur me hitin e tij të vitit 2017 Shape of You. Në fund, ai arriti ta fitonte çështjen në gjykatë.
Sheeran tha se gjithë këto ngjarje e ndryshuan mënyrën se si e shihte padinë.
Për tetë vite gjithçka dukej sikur rrotullohej rreth kësaj çështjeje. Por kur ndodhën gjëra shumë më të rëndësishme në jetën time, kuptova se rezultati i procesit nuk kishte më të njëjtën peshë për mua
-u shpreh ai.
Në intervista të mëparshme, këngëtari ka pranuar gjithashtu se gjatë asaj kohe u përball me vështirësi të mëdha me shëndetin mendor.
Ndihesh i pafuqishëm, sikur nuk mund të bësh asgjë. Ka momente kur ndihesh sikur po mbytesh dhe nuk mund të dalësh më në sipërfaqe
-ka rrëfyer ai.



