Gjuha shqipe dhe “Safe City”: VLEN kritikon Gjykatën Kushtetuese, BDI akuzon qeverinë

featured
Press Online
12 Mars 2026, 11:04

Debati politik rreth përdorimit të gjuhës shqipe dhe funksionimit të sistemit “Safe City” është intensifikuar, pasi dy subjektet politike shqiptare në vend, VLEN dhe BDI, kanë reaguar me qëndrime të kundërta për rolin e institucioneve dhe përgjegjësinë politike, informon PressOnline.al

Nga koalicioni VLEN kanë kritikuar ashpër përbërjen aktuale të Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se ajo po sillet më shumë si një “elitë politike jugosllave” sesa si instanca më e lartë gjyqësore në vend. Në reagimin e tyre theksohet se, edhe pse si legalistë respektojnë parimin që vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk komentohen nga partitë politike, ata nuk mund të shmangin përshtypjen se kjo përbërje e gjykatës po vepron në mënyrë të politizuar.

Sipas VLEN, përdorimi i gjuhës shqipe është një e drejtë themelore e njeriut dhe një nga vlerat bazë të Kushtetutës. Ata theksojnë se institucionet shtetërore kanë detyrimin që çdo qytetar të informohet në gjuhën e tij amtare, përfshirë edhe për detyrimet që i lindin nga veprimet apo sjellja e tij.

Në këtë kontekst, VLEN ka theksuar se edhe sistemi “Safe City” duhet të respektojë këtë parim. Sipas tyre, kur shteti njofton, paralajmëron apo ndëshkon qytetarët përmes këtij sistemi, ai është i obliguar ta bëjë këtë edhe në gjuhën shqipe. Koalicioni deklaron se do ta mbrojë këtë parim me të gjitha mjetet juridike dhe institucionale deri në zbatimin e plotë të tij.

Ndërkohë, reagim ka ardhur edhe nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), i cili vlerëson se deklaratat e fundit nga kryetari i Gjykatës Kushtetuese nuk janë një incident i izoluar, por rezultat i klimës politike të krijuar në vend.

Sipas BDI-së, kur në qeveri ka një përfaqësim të dobët dhe të nënshtruar të shqiptarëve, siç e cilësojnë ata VLEN-in, atëherë forcat antishqiptare ndihen të inkurajuara dhe të fuqizuara. Partia opozitare shqiptare thekson se sot po dëgjohen deklarata dhe po ndërmerren veprime që më parë, sipas tyre, as nuk guxonin të artikuloheshin publikisht.

BDI akuzon përfaqësuesit e VLEN në qeveri se kanë zgjedhur heshtjen dhe servilizmin, në vend që të mbrojnë të drejtat kushtetuese dhe arritjet e Marrëveshjes së Ohrit. Sipas tyre, kjo heshtje po interpretohet si leje për të sulmuar gjuhën shqipe dhe për të relativizuar barazinë në shtet.

Në reagimin e saj, BDI thekson se gjuha shqipe dhe të drejtat e shqiptarëve janë të drejta kushtetuese dhe pjesë e rendit politik që garanton stabilitetin dhe bashkëjetesën në vend. Partia njofton se do të vazhdojë të reagojë dhe të veprojë politikisht për të mbrojtur barazinë, Marrëveshjen e Ohrit dhe karakterin multietnik të shtetit.(PressOnline.al)

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter