Bozhinovska-Gordeeva: Efikasiteti i energjisë do të sjellë përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët dhe shtetin

featured
Press Online
12 Mars 2026, 10:33

Efikasiteti i energjisë ishte në fokus të takimit të mbajtur sot nga ministrja e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska me një delegacion të BERZH-it në vend. Në takim morën pjesë përfaqësuesi i BERZH-it në Maqedoninë e Veriut, Fatih Turkmenoglu dhe drejtoresha e Departamentit të Infrastrukturës së BERZH-it në Evropë, Elena Gordeeva.

Siç informojnë nga Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, theksi kryesor i takimit u vendos në realizimin e efikasitetit të energjisë në objektet publike në shtet, i cili do të kontribuojë në një sistem energjetik të qëndrueshëm dhe stabil.

Ministrja e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, Bozhinovska, në takim theksoi angazhimin e Ministrisë për zbatimin e shpejtë të detyrimeve sipas të cilave parashikohet të rikonstruktohet të paktën 3 për qind e sipërfaqes totale të shfrytëzueshme të ndërtesave publike çdo vit, ku masat e efiçiencës së energjisë janë pjesë e detyrueshme dhe e pandashme e çdo rindërtimi.

MEMBM, siç theksoi ministrja Bozhinovska, si bartëse e kësaj reforme strategjike, po punon intensivisht për të siguruar burime financiare për zbatimin e obligimeve që dalin nga Agjenda e Reformave.

“Realizimi i efiçiencës së energjisë paraqet një hap të madh drejt uljes së konsumit të energjisë, përmirësimit të kushteve në institucione dhe zvogëlimit të ndjeshëm të emetimeve të gazrave të dëmshëm – me përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët dhe shtetin”, theksohet në kumtesën e MEMBM.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter