“Nuk jam kandidat për president. Nëse në një rrethanë të caktuar deputetët do të ma kërkonin, do ta shqyrtoja, por nuk jam kandidat. Presidenti është institucion i rëndësishëm i vendit dhe ne do t’i vazhdojmë konsultat në AAK se si do të veprojmë. Ende s’kemi një qëndrim rreth kësaj teme… Ende s’kemi marrë një qëndrim për votën rreth presidentit ose presidentes. Do t’i shqyrtojmë këto pasi i kemi edhe disa ditë”, kështu u shpreh Ramush Haradinaj në konferencë për media pas mbledhjes së këshillit të përgjithshëm të AAK-së të enjten e kaluar.
Haradinaj i cili tashmë ka dhënë dorëheqje nga kryetari i AAK-së dhe këto sinjale për postin e presidentit vijnë në një kohë pak para përfundimit të mandatit të Vjosa Osmanit.
Analisti Afrim Kasolli, thotë se është iluzore të pritet që në këto rrethana partitë opozitare në kundërshtim me vullnetin e pushtetit, të kenë mundësi të kenë sukses në imponimin e kandidatit të tyre për president.
“Para pak dite, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, dha dorëheqje nga posti i drejtimit të partisë. Ky akt sipas tij, erdhi si pasojë e reflektimit mbi rezultatin jo te mirë zgjedhor, sidomos të atyre të jashtëzakonshme që u mbajtën me 28 dhjetor. Me këtë rast, Ramush Haradinaj ka bërë të ditur se gradualisht do tërhiqet edhe nga jeta partiake. Por i njëjti nuk e ka fshehur dëshirën që të jetë President i shtetit. Pozitë kjo e cila duhet të plotësohet më se largu deri me 4 mars nëse skena politike dëshiron t’i shmang zgjedhjet e reja parlamentare. Po ashtu, vete Ramush Haradinaj ka shprehur besimin se nëse i njëjti nominohet si kandidat i përbashkët i opozitës i ka gjasat serioze ta fitojë pozitën shumë lakmuar. Megjithatë, është iluzore të pritet që në këto rrethana që partitë opozitare në kundërshtim me vullnetin pushtetit, të kenë mundësi të kenë sukses në imponimin e kandidatit të tyre për President”, deklaron Kasolli./Bota Sot



