Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama janë nisur sot drejt Uashingtonit, në përgjigje të ftesës së Presidentit të SHBA-ve Donald J.Trump për të marrë pjesë në themelimin zyrtar të Bordit të Paqes dhe për fillimin e aktivitetit të këtij Bordi, ku Shqipëria do të jetë shtet themelues.
Presidenca ka bërë të ditur se Osmani e ka vlerësuar përfshirjen e Kosovës në Bordin e Paqes, si vend anëtar dhe bashkëthemelues, si një nga zhvillimet më të rëndësishme të politikës së jashtme të vendit në vitet e fundit, duke theksuar se ky hap e fuqizon drejtpërdrejt subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.“Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar të punojë ngushtë me aleatin tonë kryesor, SHBA-të, dhe me Bordin e Paqes për të sjellë rezultate konkrete, për të mbështetur paqen dhe stabilitetin në rajonet e prekura nga konfliktet dhe për të promovuar një të ardhme të bazuar në bashkëpunim, siguri dhe prosperitet të përbashkët”- ka theksuar Osmani.
Pak ditë më parë, kur njoftoi pjesëmarrjen në këtë ngjarje, Kryeministri Rama u shpreh se “Shqipëria nuk do të kontribuojë me para për t’u anëtarësuar apo për të qëndruar si anëtare e përhershme, por kontribuon me dinjitetin dhe me atë që e ka bërë të respektohet ndërkombëtarisht dhe të ftohet, deri në këtë nivel kaq të lartë të diskutimit mbi të ardhmen e paqes.”
Bordi i Paqes i iniciuar nga Presidenti i SHBA-ve Trump synon forcimin e Paqes në Lindjen e Mesme dhe, njëkohësisht, të ndërmarrjes së një qasje të re të guximshme për zgjidhjen e Konfliktit Global.(INA)



