Pa ndryshime kushtetuese, nuk hapen negociatat me BE-në

featured
Press Online
12 Shkurt 2026, 18:03

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shkup deklaroi se rruga e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së mbetet e qartë dhe e hapur, por theksoi se miratimi i ndryshimeve kushtetuese është kusht i domosdoshëm për hapjen e negociatave.

Në një intervistë për Alsat, ambasadori u shpreh se BE-ja nuk është “e shqetësuar”, por procesi i zgjerimit është i bazuar në angazhime konkrete që duhet të zbatohen.

“Dera e pranimit në BE për Maqedoninë e Veriut është gjerësisht e hapur. Nuk shohim asnjë vend tjetër për këtë vend përveç se si anëtar i Bashkimit Evropian,” tha ai, duke shtuar se sapo të miratohen ndryshimet kushtetuese dhe të përmbushen detyrimet teknike, negociatat mund të hapen shumë shpejt, përcjell PressOnline.al

Ambasadori rikujtoi se në korrik 2022 shtetet anëtare të BE-së miratuan përfundimet e Këshillit që përfshijnë detyrimin për ndryshimet kushtetuese. Ai theksoi se përveç këtij kushti, vendi duhet të finalizojë edhe dokumentet kyçe: udhërrëfyesin për sundimin e ligjit dhe planin e veprimit për komunitetet.

Sa i përket kërkesës së Kryeministrit për garanci shtesë, ai tha se zgjerimi është një proces politik dhe ligjor që bazohet në zbatimin e angazhimeve, duke bërë thirrje për “ngulitje të besimit në proces”.

Duke iu referuar një sondazhi të fundit, ambasadori theksoi se 71% e qytetarëve mbështesin anëtarësimin në BE, ndërsa tek të rinjtë mbështetja ka arritur në 80%.

“Është koha për të përmbushur kërkesat e qytetarëve,” u shpreh ai.

Ai shtoi se pas agresionit rus ndaj Ukrainës, zgjerimi është kthyer në imperativ gjeopolitik për BE-në, duke përmendur Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor me vlerë 6 miliardë euro dhe integrimin gradual në tregun e përbashkët evropian.

Ambasadori pranoi se lufta kundër korrupsionit ka pësuar regres pas ndryshimeve në Kodin Penal në vitin 2023, duke theksuar se nevojitet një Kod i ri Penal gjithëpërfshirës.

“Amendamentet nuk janë të mjaftueshme. Duhet një ligj krejtësisht i ri,” theksoi ai, duke kërkuar rezultate konkrete në ndjekjen penale të rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë.

Ai vlerësoi se gjyqësori në vend është seriozisht i nënfinancuar, me rreth 30% vende të paplotësuara për gjyqtarë dhe 40% për prokurorë, si dhe mungesë të stafit ndihmës dhe pajisjeve moderne.

Sipas tij, rritja e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët mund të ndihmojë në forcimin e pavarësisë dhe integritetit të sistemit, por nuk është zgjidhje e vetme.

Në lidhje me zgjedhjen e prokurorit të ri publik, ambasadori theksoi rëndësinë e pavarësisë së procesit dhe shmangien e ndërhyrjeve politike.

Sa i përket administratës publike, ai tha se ligji i ri është hap në drejtimin e duhur, por theksoi se sfida kryesore mbetet zbatimi i tij dhe depolitizimi i administratës.

“Nuk mund të përballojmë që administrata të ndryshohet pas çdo cikli zgjedhor. Duhet stabilitet dhe vazhdimësi,” deklaroi ai.

Monitorimi i fondeve të BE-së

Duke folur për fondet evropiane, përfshirë IPARD 3, ambasadori siguroi se ekzistojnë mekanizma të rreptë monitorimi dhe auditimi, si nga delegacioni i BE-së ashtu edhe nga autoritetet vendase dhe Gjykata Evropiane e Auditorëve.

Ai konfirmoi se fondet janë pezulluar përkohësisht pas dyshimeve për parregullsi, ndërsa priten rezultatet e hetimeve për rifillimin e pagesave.

Në fund të intervistës, ambasadori përsëriti se BE mbetet një partner i besueshëm për Maqedoninë e Veriut dhe se momenti aktual duhet shfrytëzuar për të çuar përpara reformat dhe procesin e integrimit evropian.

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

0/30 karakter